Tre persona humbën jetën pasi dy adoleshentë të armatosur hapën zjarr pranë një xhamie në San Diego, në një sulm që policia po e heton si krim të mundshëm urrejtjeje, raporton BBC.
Ngjarja ndodhi të hënën në mëngjes, ndërsa policia po hetonte një telefonatë për një adoleshent të mundshëm me prirje vetëvrasëse, i cili ishte larguar nga shtëpia.
Sipas autoriteteve, të shtënat ndodhën pranë Qendrës Islamike në San Diego, ku policia gjeti tre persona të plagosur me armë zjarri jashtë ndërtesës. Viktimat humbën jetën si pasojë e plagëve të marra.
Pak më vonë, policia mori një tjetër njoftim për të shtëna nga një automjet në zonën përreth. Oficerët gjetën dy autorët e dyshuar, të moshës 17 dhe 18 vjeç, të vdekur brenda automjetit, pasi dyshohet se i dhanë fund jetës së tyre.
Mes viktimave ishte edhe roja e sigurisë së qendrës islame, i cili sipas autoriteteve “luajti një rol vendimtar” për të parandaluar që sulmi të kishte pasoja edhe më të rënda.
Autoritetet nuk kanë bërë ende publike identitetet e tre viktimave, por sipas mediave amerikane, roja i sigurisë ishte baba i tetë fëmijëve.





