Dy familjet shqiptare të deportuara nga Islanda do të marrin nënshtetësinë këtij shteti. Portal RÚV raporton se Komiteti parlamentar për Çështje Gjyqësore dhe Edukative ka kaluar një rezolutë duke rekomanduar që dy familjet e deportuara nga Islanda javën e kaluar, të marrin nënshtetësinë. Meqenëse këto rekomandime të këtij komiteti pothuajse asnjëherë nuk sfidohen, familjet në fjalë mund të thuhet se e kanë fituar nënshtetësinë islandeze.

Kur familja Kepaj e mori vesh lajmin përmes Skype, Xhulia Kepaj u shastis nga gëzimi, duke thënë “Kjo është dhurata më e mirë e Krishtlindjeve që djali ynë Kevi e ka pranuar ndonjëherë”.

“Dua ta falënderoj kombin, reporterët, të gjithë”, ka shtuar Kastriot Kepaj. “Dhe i falënderohem në mënyrë të veçantë mikut tim Hermann. Është e pabesueshme”.

Kevi Kepaj, i cili vuan nga fibroza cistike, nuk mund të ketë kujdes të nevojshëm shëndetësor në Shqipëri, që është edhe një prej arsyeve kryesore që familja kishte kërkuar fillimisht azil në Islandë.

Megjithatë, aplikimi i familjes për azil u refuzua mbi bazën se Shqipëria nuk është vend i shkatërruar nga lufta. Ndërsa familja fillimisht kishte apeluar rastin e tyre në Bordin e Apeleve për Imigrim, drejtoresha e Drejtoratit për Imigrim Kristin Volundardottir, e cila në të kaluarën kishte krahasuar azilkërkuesit me turistë, i ka thënë portalit RÚV se familja ka tërhequr apelin e tyre dhe kanë kërkuar të deportohen. Sido që të jetë, portali “Visir” raportoi se familja mori këtë vendim vetëm pas u ishte thënë se djali i tyre një-vjeç nuk do të pranojë shërbime të nevojshme shëndetësore në Islandë.

Kristin më vonë kishte folur për rastin në një intervistë për mediumin RÚV, duke thënë se të dy familjet u deportuan mbi bazën se familjet mund të pranonin kujdes të nevojshëm shëndetësor edhe në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, ajo tha se nuk e ka ditur nëse Drejtorati e ka vlerësuar apo jo nëse fëmijët në fjalë do të mund të pranonin kujdes të nevojshëm shëndetësor.

Kjo mungesë e vëmendjes ka nxitur Ombudspersonin Parlamentar të kërkojë sqarime se si janë procesuar rastet e tyre, nëse janë procesuar. Një mjek islandez tashmë ka kritikuar ashpër vendimin për deportim, duke thënë se vendimi është i barabartë me dënim me vdekje për fëmijët në fjalë. Drejtorati ka afat deri më 15 janar që t’i përgjigjet letrës së Ombudspersonit.

Ditë më parë, rreth 40 protestues u mblodhën në Sheshin e Parlamentit në Rejkjavik (‘Austurvöllur’) për të kërkuar kthimin në Islandë të dy fëmijëve të vegjël shqiptarë.

“Duhet të vazhdojmë të flasim për këtë dhe t’i bëjmë presion qeverisë për ta kthyer mbrapsht vendimin”, ka thënë organizatorja Una María Óðins­dótt­ir.

“Dëshirojmë t’i kthejmë në Islandë ata djem menjëherë”.