Sot në orët e para të mëngjesit në kalatat 4 dhe 5 të portit të Durrësit u ankoruan kroçerat “La Belle De L’Adriatique” dhe “Seven Seas Voyager”, me 877 turistë gjithsej.
Turistët e organizuar në grupe dhe nën kujdesin e operatorëve turistikë janë nisur me autobuzë drejt qyteteve të Krujës, Beratit dhe Tiranës, ku do të vizitojnë qendrat historike dhe muzeale. Një pjesë e tyre kanë preferuar të qëndrojnë në Durrës për të vizituar Muzeun Arkeologjik të qytetit si dhe Amfiteatrin antik.
Autoriteti Portual ka krijuar të gjitha kushtet për sigurinë edhe lëvizjen e turistëve në territorin portual.
Që nga fillimi i këtij viti në portin më të madh të vendit janë ankoruar 11 kroçera me 2.194 turistë gjithsej, bëhet e ditur nga Sektori i Statistikave në APD.
Nga agjencia e lundrimit “Intermed Shipping” mësohet gjithashtu, se kroçera “La Belle De L’Adriatique” me gjatësi 110 metra mbërriti në Durrës sot paradite, pas dy ndalesave në Sarandë dhe në Vlorë, ndërsa në mbrëmje vonë do të niset për në portin e Tivarit (Mali i Zi). Me këtë kroçerë po udhëtojnë 154 turistë nga shtatë vende të Evropës, 135 prej të cilëve nga Zvicra.
Kroçera “Seven Seas Voyager” ka një gjatësi 206 metra.
Turi i saj 11-ditor përveç Durrësit përfshin disa nga portet e njohura turistike të Mesdheut, si Saint Tropez, Monte Carlo, Venecia, Sorrento, Venecia, etj.
723 udhëtarët e këtij turi vijnë nga 22 vende të ndryshme, por pjesa më e madhe janë turistë nga SHBA, 476 vetë, dhe nga Britania e Madhe, 97 të tjerë.