13 kroçera dhe velierë me 2,279 turistë kanë vizituar portin e Durrësit që nga fillimi i këtij viti, ndërsa numri i jahteve të madhësive të ndryshme në të njëjtën periudhë arrin shifrën 347.
Nga muaji shtator deri në nëntor në kalatat e portit më të madh të vendit do të akostohen edhe kroçerat “Nautica”, “La Belle de L’Adriatique”, “Sirena”, “Amera” dhe “Silver Shadoë”.
Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, mësohet se vetëm gjatë tre muajve të verës qershor-gusht, në kalatën 4 të portit, që u dedikua për akostimin e anijeve turistike, kanë gjetur shërbimet portuale 297 jahte gjithsej.
Sipas Qendrës së Informacionit në Autoritetin Portual, kroçera dhe veliera e fundit u akostuan në port javën e kaluar ishin “Monet” dhe “Sea Cloud”. Kjo e fundit do të vizitojë portin edhe pas dy ditësh, për të katërtën herë brenda vitit 2019.
Megjithëse është port shërbimesh me destinacion kryesor përpunimin e anijeve, Autoriteti Portual Durrës ka krijuar kushte për qëndrimin disaditor të mjeteve lundruese turistike në qytetin antik.