Dalin sot para gjykatës dy të rinj të arrestuar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi pak ditë më parë në Vlorë, të cilët akuzohen për abuzim seksual ndaj një 26-vjeçareje.

Masa e sigurisë për Oltjan Tahirin dhe Albi Cenon do të jepet në gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë, ndërkohë në kërkim është shpallur Gentjano Mehmeti dhe një 36-vjeçar.

Gjithçka nisi të shtunën, kur një 26-vjeçare u paraqit pa ndenja në urgjencën e Vlorës. Ishte recepsionisti i një hoteli që njoftoi rastin në fjalë, se një vajzë ishte pa ndjenja në hotel. Pas 24 orësh, e reja u përmend dhe tregoi në lidhje me ngjarjen, por më pas e tërhoqi denoncimin. Ngjarja në fjalë duket se ka marrë përmasa edhe më të mëdha, pasi në konflikt është përfshirë dhe një gazetare, e cila denoncoi rastin.

Sipas News 24, një televizion lokal në qytetin e Vlorës, përmes një postimi në rrjetet sociale kishte denigruar dhe fyer gazetaren, duke e akuzuar për stisje të ngjarjes, me pretendimin se ishte akuzuar dhe djali i pronarit të këtij biznesi. Pas këtij postimi, ka pasur reagime të shumta në opinion. Ndërkohë, pronari i televizionit lokal në Vlorë, përveç postimit në rrjetet sociale, mësohet se i ka dërguar gazetares dhe një mesazh me përmbajtje kërcënuese; ‘Jemi në gjak’. Sakaq, ndaj këtij personi ka nisur një procedim penal dhe vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.