“Vetëm një gjë kam frikë në jetë, miku im… Do të vijë një ditë, që e zeza do ta përpijë të kuqen”.

Me të tilla mesazhe të fuqishme, teatri i Durrësit ka ngjitur në skenë shfaqjen “E kuqe”, një vepër me dy personazhe nga John Logan, që vjen me regji të Altin Bashës dhe interpretohet nga aktorët Gentian Zenelaj dhe Urim Aliaj.

Piktori Mark Rothko është në studion e tij në Nju Jork në vitet 1958-1959, pasi është porositur të pikturojë një grup muralesh për një restorant te shtrenjtë.

Gjithçka duket se shkon mirë, deri kur pjesë e lojës bëhet ndërgjegjja.

Gentian Zenelaj na tregon se “vepra pasqyron dilemat e mëdhaja që ka një artist, ndryshimet ndërmjet brezave. Dramaturgu si një mjeshtër i madh ka vendosur një djalë të ri, që është Ken-i, që luhet nga kolegu im Urim Aliaj, i cili në një farë forme bëhet ndërgjegjja e këtij piktori, i cili po shikon shumë drejt të zezës, pra është në grahmat e fundit artistike të tij.

Konflikti i dramës është që ka marrë një porosi nga një multimiliarder për të bërë disa piktura për restorantin e tij luksoz dhe nëpërmjet monologjeve të Ken-it ky njeri kupton që këto piktura nuk duhen dhënë, por shkojnë për bamirësi“.

Një dramë që duket se nuk i flet kujtdo, por që gjithsesi vjen më aktuale se kurrë, duke vënë në dyshim edhe artin e sotëm.

“Vepra nuk është për çdokënd. Vërtetë i flet artit të pikturës, por është edhe për artin skenik, këngën, është një vepër gjithëpërfshirëse mes komercialitetit dhe artit të vërtetë, artit të të kërkuarit tek vetja“, thotë Urim Aliaj, ndërsa Zenelaj shton se “kjo vepër i vjen publikut shqiptar si një mesazh shumë i fortë për të kthyer sytë nga arti, nga gjërat që kanë vërtetë vlerë.” 

Ajo u shfaq premierë në teatrin e Durrësit mbrëmjen e së mërkurës dhe do të vijojë të shfaqet deri më 28 janar në orën 19:00.

“Shfaqja ka tendencën që të krijojë në sallë njëfarë heshtjeje, njëfarë ngrirjeje të publikut, gjë që më pëlqen sepse i vjen një informacion shumë i madh kulturor, përsa i përket muzikës, pikturës, skulpturës, ndjenjave, emocioneve, kështuqë jam i bindur që publiku durrsak do ta marrë shumë mirë“, përfundon Zenelaj duke i ftuar artdashësit durrsakë të ndjekin nga afër dramën.

K.Gj.