22 maj 2015 – Kryebashkiaku në fushatë Dako këtë të premte ia kishte dedikuar thuajse tërësisht kulturës, me ndonjë ndërthurje të lehtë ekologjike si fjala vjen aderimin e tij në nismën “Green Albania”. Kryebashkiaku Dako fillimisht në Pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu” pati një takim me artistë, kompozitorë, këngëtarë, instrumentistë, piktorë, skulptorë, aktorë, regjizorë, valltarë, punonjëse të bibliotekës së qytetit, përfaqësues të burokracisë artistike lokale, përfaqësues të OJF-ve të artit si psh. Klubi i shkrimtarëve dhe artistëve Durrës, shkrimtarë e poetë të Durrësit dhe jo vetëm.
Kryebashkiaku Dako falënderoi elitën artistike durrsake për pjesëmarrjen në takim duke falenderuar në mënyrë të posacme artistin me famë botërore Ilir Xhixha për veprën e tij artistike, që tashmë zbukuron Sheshin Liria. Dako duke u kërkuar pjesëmarrësve të most a gjykonin rëndë, pse nuk kishte bërë më shumë për kulturën durrsake, theksoi se bashkia me gjithë mungesën e fondeve nga 2007 në 2014 kishte dhënnë cdo vit 17 milion lekë të reja për artin e kulturën. Në sajë edhe të financimeve të bashkisë, Durrësi tashmë i ka shndërruar në traditë tre evente kulturore ndërkombëtare:
Durrës Summer Festival (Festival i përvitshëm filmi)
Dance meeting (Aktivitet i përvitshëm i dansit modern)
Festivali i muziës së dhomës.
Në vitet e mandateve Dako u arrit të ruhej banda dhe orkestra e qytetit, qoftë edhe duke u paguar artistëve të këtyre formacioneve honorare modeste, gjithnjë brenda mundësive monetare të kufizuara të bashkisë.
Dako u rikujtoi artistëve durrsakë Galerinë e re të arteve, ku janë hapur me qindra ekspozita, pikture, skulpture, fotografie, etnografie, numizmatike, filatelie etj si të artistëve durrsakë ështu edhe artistëve nga viset e tjera të Shqipërisë apo edhe të mjaft artistëve të huaj.
Ministrja Kumbaro, Dako dhe Amfiteatri
Kryebashkiaku Dako si zot shtëpie priti dhe shoqëroi ministren Kumbaro (Furrxhi) në një inspektim të saj të vlerave të arkeologjisë durrsake. Ministrja inspektoi punimet për prishjen e disa banesave të ndërtuara në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX mbi arenën e Amfiteatrit. Minsitria shpjegoi për mediat se qeveria Rama nëprmjet një plani me dy faza po i dëmshpërblen pronarët e 3 banesave të para dhe pas prishjes së banesave do vazhdojë gërmimi arkeologjik për zbulimin e pjesës së mbetur të arenës. Ministrja detajoi se Qeveria Rama ka caktuar një fond prej 46 milion lekësh për të dëmshpërblyer pronarët e banesave, që po prishen dhe nëj fond prej 4 milion lekësh për prishjen e ndërtesave me dorë, sepse është e pamundur përdorimi i makinerive në këtë zonë. Një nga banesat, që do prishen është edhe ajo e familjes së deputetit Bylykbashi. Durrës lajme telefonoi në numrin 0682091189 të deputetit për të marrë opinionin e z. Oert Bylykbashi për prishjen e banesave kundrejt shpërblimit. Deputeti nuk e hapi telefonin. Me sa duket sëmundja e disa prej ministrave “rilindas”, që nuk u hapin telefonin as deputetëve socialistë, e ka zënë edhe deputetin Bylykbashi. Interesant nuk hapin telefonin, kur janë në pushtet. Nuk e hapin as, kur përfundojnë në opozitë. Kulmi nuk e hapin as në fushatë elektorale, kur politikanët nga halli i votave përgjithsisht bëhen më të ëmbël se mjalti dhe më të urtë se qingji.
Ministrja Kumbaro theksoi se ky projekt prishje banesash dhe gërmimesh arkeologjike do të bëhet në dy faza. Duket pak e vështirë, që do të vazhdojë të jetë ministrja Kumbaro zbatuesja e projektit, tashmë, që Ligji “Veliaj” për dosjet e Sigurimit të Shtetit do të hyjë në fuqi. Këtë bindje na e përforcon edhe deklarata e ish-deputetit Dritan Prifti për pseudonimin Ketri, që sipas tij mbate Ilir Meta para vitit 1990. Me sa duket kopjet e një pjese të dosjeve me spec, me kohë kanë “fluturuar” nga arkivate Ministrisë së Brendshme dhe të SHIK-ut.
Më pas ministrija Kumbaro dhe Kryebashkiaku Dako vizituan mjediset e rikonstruktuara të Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Vizita e dytë nuk u mbulua nga medjat e pranishme. Vizitat në të dy objektet arkeologjike koinciduan me grupe turistike nga vendet nordike, që vizitonin njëkohësisht objektet në fjalë.
Gjergj Thanasi
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”