7 dhjetor 2015 – Nuk mjaftonin vetëm hallexhinjtë e qytetit të Durrësit, por tani dera e bashkisë, duhet të presë edhe hallexhinjtë e 5 njësive të tjera vendore. Ata dynden që në mëngjes, për një takim me kreun e bashkisë, dhe pjesa më e madhe e tyre janë të papunë. Të gjithë kanë një refren “Duam punë”! Vjollca Brozi, 27 vjeçe nga Katund Sukthi është kryefamiljare, nënë e dy djemve të mitur. Në një intervistë për “DurrësLajm” ajo thotë, se kërkon një punë si pastruese, kudo ku mund të jetë, vetëm të çojë të ardhura për të rritur dy fëmijët që ka në shkollë.

Znj. Vjollca përse jeni para bashkisë?

Jam se dua të takoj kryetarin e bashkisë, por na thanë që është në Tiranë sot. Tani nuk kemi ku të përplasemi tjetër. Në Durrës do vijmë, se këtu është edhe bashkia jonë. Unë sido që të jetë, do vij, dhe do rri ta pres deri sa të vijë, sepse dua ta takoj e të marr një përgjigje prej tij. Dua të më ndihmojë, se nuk kam ku të shkoj tjetër. Për më tepër që kam votuar për të.  

Cili është problemi juaj?

Unë dua punë. Kam dy djem që i kam rritur vetë. Bashkëshorti më vdiq 13 vjet më parë në aksident. Aso kohe, një djalë e kisha katër, dhe tjetrin në bark. Ishin prindërit e burrit ata që na ndihmuan, sido që shkoi jeta. Por vjehrrit më vdiqën, dhe me 70 mijë lekë të vjetër që marrin pension familjar të dy djemtë, nuk na del vetëm për thesin e miellit. Kështu që dua të punësohem, se djemtë janë në shkollë e kanë kërkesa.

A keni kërkuar punë?

Unë jam bërë vetë grua e vetë burrë, për të rritur fëmijët pas aksidentit të bashkëshortit. Për të ushqyer e për t’i veshur ata kërkoj punë. Në Sukth do të hapet një shkollë e re, dhe sikur të më fusnin atje sanitare, nuk do kërkoj më shumë.

Keni kërkuar punë në vende të tjera?

Po, por nuk ka punë. Të gjithë thonë që nuk marrin punëtorë të rinj. Në Sukth ku banoj unë është akoma më e vështirë, se nuk gjen punë fare.

Prej Ishmit, Katundit të Ri, Sukthit, Manzës, e Rrashbullit, banorët tani kanë vetëm një derë ku mund të kërkojnë zgjidhje. Ajo është dera e bashkisë së madhe të Durrësit, që hapur duhet të qëndrojë për të gjithë banorët e saj, që zgjodhën me votë plebishitare kreun e bashkisë Vangjush Dako. 

/K.H. portali DurresLajm/