Nga Doc. Kadri DINGU*
Në gazetën Shqiptare datë 25 Shkurt 2013 botohet artikulli me autor zotin Fatos Velia “Si u shpëtua Kolonel Nikolas nga nipi i Naimit” (Ushtaraku anglez vdiq në shtëpinë e Sulejman Toptanit). Një histori e rrallë dhe e panjohur, shkruan autori, na bën të ndjehemi krenarë si shqiptarë, kolonel Nikols është bërë emër i përjetësuar në ambientet e kryeqytetit, por që rrallëkush mund të dijë se kush është ky kolonel anglez, dhe nga pinjollët e familjes se Sulejman Toptanit mësojmë historinë e vërtetë të tij. Ai ka ardhur me mision diplomatik gjatë luftës, në vitin 1943, ku pas rënies së shokut të tij, Gjeneralit Dejvis, është marrë në mbrojtje nga fshatarët e zonës ku kishte rënë. Pas kësaj, është marrë në Tiranë dhe është mbajtur në shtëpinë e Toptanasve, që kërkohej nga gjermanët. Gjithashtu, ai nuk mundi të shpëtonte nga plagët e krijuara në trupin e tij. Në vitin 1946 bashkatdhetarët do të merrnin eshtrat, ndërkohë që nuk harruan që të falenderonin nga radio Londra, shqiptarët bamirës, që sipas së cilës do të akuzohej si agjent i anglo-amerikaneve.
Përmbajtja e Artikullit
Viti 1943- Dy misionarë anglezë në Shqipëri- Gjeneral Dejvis dhe Koloneli Brigadier Artur Crane Nikols veprojnë në zonën Gjermane.
Gjeneral Dejvis kapet rob nga gjermanët.
Në shtatorin e vitit 1943, në Shqipëri zbarkojnë me një mision të rëndësishëm dy misionarë anglezë. Ishin pikërisht gjenerali i shumënjohur në historinë e luftës. Dejvis dhe Kolonel Brigadier Artur Crane Nikols. Historia e tyre, si zbritën në malet e Martaneshit dhe Bizës, pati peripeci të papritura, pasi situata e çoi në zonën e uzurpuar nga pushtuesit Gjermanë. Kjo situatë sakrifice dhe alarmante pati një fund të dhimbshëm. Ishte pikërisht muaji nëntor i atij viti, pra i 1943-shit, kur gjenerali Dejvis u kap rob nga gjermanët. Pas kësaj situate, sidoqoftë detyra e tyre do të vijohej më tej. Kështu, automatikisht kryetar i misionit dhe detyra e gjeneralit i kalonte Kolonelit Brigadier Artur Crane Nikols, (Command and Staff Goaldsteram guards) i cili ishte me origjinë irlandeze. Vetë koloneli Nikols kishte mundur t’u shpëtonte tre rrethimeve dhe shtigjeve të rrezikshme, ku e kishte pësuar me shëndetin e tij. Kishte mundur dhe ishte fshehur në një stan në afërsi të Kostenjës.
Kërkesa angleze: Duhet të shpëtohet koloneli Nikols! Vian Toptani merr detyrën.
Komanda aleate ishte shumë e shqetësuar pas kësaj situate, ku nuk dihej vendndodhja dhe gjendja e kolonelit. Rënia e tij në dorën e gjermanëve, kur më parë ishte kapur gjenerali Dejvis, do të konsiderohej një disfatë e rëndë për të gjithë misionin anglez në Shqipëri. Kështu, mësohet se komanda britanike në ato momente ka bërë një mesazh alarmant në adresë të njeriut të besuar në Shqipëri, pikërisht të tiranasit Sulejman Toptani, që ishte i biri i intelektualit të spikatur Murat Toptani dhe i së bijës së Naim Frashërit. As më pak dhe as më shumë, por në kërkesën ndaj pinjollit të familjes më të madhe tiranase, që kishte shndërruar shtëpinë e tij në bazë të sigurtë të misionarëve britanikë, thuhej që “të gjendej dhe të shpëtohej me çdo mënyrë koloneli Nikols, i cili ndodhej në territorin shqiptar, të uzurpuar prej pushtuesve nazistë”.
Sulejman Toptani, në kërkim të kolonel Nikolsit
Pas mesazhit të marrë, Sulejman Toptani (Lika) u nis menjëherë së bashku me oficerin anglez që i solli mesazhin, i cili ishte dërguar posaçërisht për këtë detyrë.
Mes dimrit të acartë me stuhi dhe furtunë dëbore atë dhjetor të 43-shit,ata u nisën në drejtim të Malësisë së Bizës dhe të Martaneshit. Situata e tyre vështirësohej nga ora në orë dhe nga minuta në minutë. Acari dhe zonat e pushtuara e bënin shumë të vështirë misionin. Megjithatë, pas shumë përpjekjeve, duke lëvizur nga krahina në krahinë dhe duke pyetur në fshatarë e barinj të zonës ku shkelnin, ata arritën të binin në gjurmët e kolonelit të shumëkërkuar. Ai ishte marrë në mbrojtje nga një fshatar i zonës së Kostenjës, i cili e kishte strehuar në stanin e tij në mal. Kolonelin e gjetën shumë të sëmurë. Këmba ishte gangrenizuar prej të ftohtit të padurueshëm, ku kishte lëvizur shumë nëpër acar, ndërsa shpatullën e kishte tejet të ënjtur, pasi e kishte të dalë prej vendit.
Nikols transportohet në Tiranë
Në këto kushte, ata e morën kolonelin me shëndet tejet të rënduar, duke e transportuar me shumë vështirësi dhe duke kaluar në shumë postblloqe, arritën ta fusnin në Tiranë. Fillimisht vendosën ta dërgonin në shtëpinë e Ihsan Toptanit në Valias, por në këtë kohë, Ihsani, për shkak të aktivitetit intensiv të tij, kishte rënë në sy të gjermanëve dhe shtëpia e tij rrezikohej të digjej. Pas kësaj, ata vendosën ta dërgonin në shtëpinë e Sulejmanit (Likes), pasi u mendua se vetëm aty mund të ishte më i siguruar nga kontrollet e gjermanëve, të cilat ishin bërë shumë të dendura në atë periudhë. Por fati i keq do ta shoqëronte kolonelin britanik i cili, megjithëse ishte vendosur tashmë në një bazë shumë të sigurtë dhe i ishte nënshtruar një kujdesi tejet të veçantë shëndetësor, nuk do mund t’ju mbijetonte plagëve të shpatullës dhe gangrenës së këmbës. Nikols i kaloi ditët e fundit të tij në shtëpinë e Sulejmanit (Likes), ku u kurua nga profesori i famshëm italian Lozzi, (i pushkatuar me 1945-ën nga komunistët për arsye absurde), Dr. Osmani, Dr. Sabriu dhe i palodhuri, miku i ngushtë i tij, Dr. Shefqet Ndroqi. Të gjithë, intelektualë dhe patriotë, të cilët duke mjekuar në ato kushte misionarin e Perëndimit, kanë rrezikuar seriozisht jetën, pasi përveç rrezikut të gjermanëve rruga e vjetër e Shkodrës, bombardohej vazhdimisht prej avionëve anglezë.
1 Shkurt 1944, Koloneli 33 -vjeçar Nikols vdes në Tiranë
Me gjithë kujdesin e treguar dhe amputimun e këmbës, ai nuk i rezistoi infeksionit dhe vdiq natën me një shi të madh të datës 1 Shkurt 1944, në moshën 33-vjeçare. Në letrën e tij të fundit, ai i shkruan gruas së tij të re dhe vajzës 2 vjeçare, Jenit: “Dhe sikur të vdes, trupin tim nuk do ta shqyejnë kafshët e egra, por ndodhem në shtëpinë e një shqiptari që është kujdesur dhe më ka kuruar sikur të më kishin njeri të familjes së tij”. Interesante është fotoja e trupit të tij, shkrepur në dhomën e tij nga vetë i zoti i shtëpisë, Sulejman Toptani (Lika), ku ka dalë i mbuluar me një jorgan atllazi dhe tek koka mbi komodinë ka vendosur një figurinë të Shën Mërisë me një qiri të ndezur. Pas vdekjes së tij, shqiptarët i kanë bërë të gjitha nderet që meritonte, ku i respektuan kombin dhe fenë e tij.
Një ditë para vdekjes së kolonelit, gjermanët kontroll në banesë
Një ditë para se Kolonel Nikols të ndërronte jetë, u krye një kontroll rutinë nga forcat gjermane në shtëpinë e Likes. Në momentin e parë, ata vendosën të vrisnin rojen e fermës, Ratin, i ardhur nga Mati dhe që ishte një besnik i farniljes. Ratin e vranë vetëm se ishte i armatosur dhe kishte një pushkë austriake. Por Lika ka dalë me nxitim të patreguar nga shtëpia dhe u ka treguar gjermanëve krahun e djathtë të rojes, ku kishte mbishkrim në gjuhen gjermane, ndërkohë u ka zgjatur lejen e Feld-komandaturës për mbajtjen e armës. Ishin çaste dramatike për Sulejmanin nëse në ato momente do të vijohej kontrolli në banesë dhe do të kapej kolonel Nikols. Pasojat pas kësaj do të ishin fatale, pasi dhe propaganda e tyre në atë kohë kërcënonte me dënime të rënda ata që bashkëpunonin apo strehonin armiqtë e tyre. Por fatin e atij çasti kritik e solli vetëm mbishkrimi gjermanisht në dorën e rojes, ku me sa duket patrulla u ndje e tunduar nga gjermanishtja, kështu që ndërpreu kontrollin brenda banesës për të pirë të vetmen pije që mbanin në shtëpi, që ishte një shishe Cherry Brand. Kur pas qerasjes me pije, gjermanët filluan në oborr bisedën e lirë me familjarët, oficeri që drejtonte grupin, foli për një oficer anglez të fshehur në rrethinat e Tiranës. Madje ai u shpreh para Likes (Sulejmanit) duke siguruar që ata “nuk do ta trajtonin keq nëqoftëse arrinin ta kapnin, por do ta shkëmbenin me oficerë të kapur nga armiqtë e tyre.
Përsëritja e kontrollit gjerman
Pas kontrollit sipërfaqësor në ambientet e jashtme, patrulla gjermane u largua nga shtëpia e Likes ku ishte kolonel Nikolsi, për të ardhur të nesërmen me një tërsëllimë llahtarie. Reagimi i tyre i nesërm vinte pas një informacioni të sigurtë që kishin marrë në rrugë spiunësh për fshehjen e kolonelit. Por tashmë edhe pse kryen një kontroll, gjithçka ishte e kotë, pasi Nikols vdiq pikërisht atë natë. Ndërkaq ,ai ishte varrosur në vendin ku mbahej silazhi. Që më parë, kur doktorët kishin humbur absolutisht shpresat për shpëtim, Lika kishte përgatitur në fshehtësi një arkivol me një llamarinë të ndodhur në ofiçinën e tij. E bëri të mbyllur me bulona, mbi të cilin ishte salduar një kryq, ndërkaq e kishte lyer me bojë.
Viti 1946, ushtarakët anglezë tërheqin eshtrat e kolegut
E vërteta e vdekjes së oficerit anglez Nikols, gjatë viteve të LANÇ-it në Shqipëri. Pas vendosjes të pllakatës përmendore tek varrezat e ushtarakëve anglezë, të cilët dhanë jetën në luftën e përbashkët me forcat e ushtrisë sonë nacionalçlirimtare kundër pushtuesve fashistë italianë, nazistët gjermanë me qëllime të këqija (balliste zogiste) kanë botuar në shtypin e tyre se vdekja e kolone1it anglez Nikols paska ardhur nga pakujdesia e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Nga kujtimet e shokëve veteranë të LANÇ-it që kanë të bëjnë me këtë çështje, si dhe nga pohimet e disa emisarëve anglezë, në kohën e luftës vërtetohet se thëniet e mësipërme janë falsifikuara. Koloneli Nikols ka ardhur në Shqipëri në mesin e muajit tetor të vitit 1943, si oficer i ndërlidhjes së Shtabit të Forcave Angleze në Mesdhe, me misionin Gjeneral Brigade Dejvis, pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH-së. Në Operacionin e Dimrit (dhjetor 1943- janar 1944), të ndërmarrë nga forcat gjermano-balliste ndaj UNÇL-së, si objekt strategjik i tyre ishte asgjësimi i Shtabit të Përgjithshëm, që ishte dislokuar në malet e Martaneshit dhe të Çermenikës, dhe grupit të oficerëve anglezë të ndërlidhjes pranë tij.
Gjatë muajve dhjetor 1943 – janar1944, Shtabi i Përgjithshëm dhe grupi i oficerëve anglezë të ndërlidhjes, për t’i shpëtuar rrethimit nga forcat e shumta gjermano-balliste, iu është dashur të bëjnë lëvizje dhe veprime të vështira, nëpërmjet grykave e maleve me dëborë në një të ftohtë të madh. Në këto përpjekje, koloneli Nikols u sëmur dhe, aq më keq, këmba po i kalonte në gangrenizim. Duke kaluar vështirësi të mëdha, me kujdesin e drejtpërdrejtë u nxor jashtë rrethimit dhe u dërgua në fshatin Gurabardhë, në shtëpinë e patriotit Mahmut Kuçi, nëpërmjet një letre të shkruar nga Frederik Nosi, që kryente detyrën e ndërlidhësit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL-së me grupin e oficerëve anglezë ku porositej komanda e
e batalionit partizanë të Matit, që të merrte masa të menjëhershme, për t’i siguruar atij mjekimet e nevojshme. Për këtë qëllim, nga Komanda e Batalionit Partizan, u ngarkua shoku Xhemal Panavia, që të shkonte në Tiranë dhe të merrte kontakt me Qarkorin e PK së Tiranës dhe të siguronte bazën për kurimin e oficerit anglez. Megjithë vështirësitë e asaj periudhe, më ka treguar shoku Xhemal, në një takim që pata me të, para se të vdiste, megjithëse në Tiranë ushtrohej një terror i madh nga pushtuesi dhe reaksioni shqiptar u arrit që të sigurohej gjithçka që duhej. Një punë të madhe bëri shoku Mahmut Sallaku, që punonte si sekretar në Spitalin e Përgjithshëm Civil, i cili siguroi me anën e ish shefit të Klinikës së Kirurgjisë shokut Frederik Shirokës, që të shtrohej në sallën e madhe të pavionit, por të vendosej në një dhomë të veçantë, që të mos zbulohej, me qëllim që të operohej sa më shpejt. Për këtë qëllim, nëpërmjet farmacisë private “Shundi” u siguruan të gjitha medikamentet dhe materialet e tjera të nevojshme meqë spitali nuk i dispononte ose i kishte në sasira të vogla. Pagesën për shërbimet e Spitalit dhe për medikamentet, i mori t’i bënte Këshilli Nacionalçlirimtar i qytetit të Tiranës nga ndihmat që siguronte nga populli. Gjithashtu, sipas rrëfimit të të paharruarit Xhemal Panavia, u hartua edhe plani i transportimit dhe i futjes në Spital që parashikonte shoqërimin e tij me 6-8 partizanë dhe me dy kafshë, të cilët do lë kalonin nga Qafë-Shtama, Xibër, Mëner, Bullësh dhe Qafë të Bjeshit (zona këto të kontrolluara nga forcat partizane duke iu shmangur kalimit nga Shupali, pasi atje ishin forcat Zogiste të Abaz Kupit. Pastaj do të dilnin në Priskë të Vogël, në Brrar, ku do të kalohej lumi dhe do të shkonin në fshatin Shtish-Tufinë, duke u strehuar te një shtëpi te lagja “Rrapi Trishë”, që ishte bazë e Luftës Nacional-çlirimtare dhe, prej andej, natën, do ta futnin në Spitalin Civil si fshatar i sëmurë. Ky plan njihej vetëm nga unë, kujton shoku Xhemal, dhe i ngarkuari i Qarkorit të Tiranës. Pasi u kthye nga Tirana, Komanda e Batalionit të Matit dhe Xhemal Punavia morën takim me kolonelin Nikols dhe i njoftuan planin e mësipërmm z. Nikols, pasi dëgjoi, na falenderoi për kujdesin që kishim treguar për të dhe na kërkoi që të dërgonim te Abaz Kupi, kërkesë që u plotësua nga ana jonë. Më vonë morëm, vesh se kalimi i tij te forcat e Abaz Kupit, ishte bërë me kërkesën e një oficeri anglez të ndërlidhjes, që ishte në atë kohë pranë Shtabit të Legalitetit. Në këtë kohë, sipas dokumentave arkivorë pranë këtij shtabi ka qenë oficeri britanik, Mickloan, i cili ishte interesuar për kurimin e kolegut të tij. Koloneli Nikols dërgohet në shtëpinë e Toptanasve në Kodër-Kamëz, ku për mungesë kurimi efektiv ai vdes në muajin shkurt të vitit 1944 nga gangrena dhe varroset në oborrin e asaj shtëpie. Sot emri i tij figuron në listën e ushtarakëve anglezë që dhanë jetën në luftën e përbashkët kundër fashizmit për çlirimin e Shqipërisë. Në varrezat e tyre në Parkun e Madh të Tiranës, janë vendosur edhe eshtrat e kolonelit Nikols.
Në gazetën “Kushtrim Brezash”, datë 19 nëntor 1995, është shkruar shkurtazi për vdekjen e kolonel Nikolsit, një kopje e së cilës i është dërguar nga veterani dhe invalidi i LANÇ-it, Pirro Naçi, të afërmve të Nikolsit në Angli. Për këtë, z. David R. N. Bryer, drejtor i përgjithshëm i organizatës angleze “OXEAM” në emër të zonjës Margaret (krushka e tij dhe motra e kolonelit Nikols), i dërgon falenderimet kryeredaktorit të gazetës për shkrimin e botuar.
Kjo është e vërteta e vdekjes së kolonelit anglez, Nikols, që hedh poshtë mashtrimet e neoballistëve të sotëm.
Epilogu
Ky artikull është botuar në Nëntor 1995 në gazetën “Kushtrim Brezash” dhe i botuar në gusht 2010 në përgjigje të artikullit të z. Albert Kotini, botuar në gazetën “Shekulli” ku ai akuzon Shtabin e UNAÇ partizan për vdekjen e oficerit anglez “Nikols”. Siç shihet dhe artikulli i z. Fatos Veliu, botuar në Gazetën Shqiptare më 25 shkurt 2013 të titulluar “Si u shpëtua koloneli nga nipi i Naimit” është i njëllojtë me artikullin e z. Kotini, vetëm me ndryshimin që familjes Toptani i atribuohet gjithçka e bërë për të shpëtuar Nikolsin duke filluar nga kërkimi, gjetja e sjellja në Tiranë tek shtëpia e Likë Toptanit ku strehohet, kurohet e varroset në kopshtin e shtëpisë së tyre. E vërteta është e kundërta. Zoti Fatos Velia e fillon artikullin me kërkesën e bërë për ta gjetur Nikolsin në zonën e Martaneshit dhe që e paskan marrë dhe sjellë në Tiranë, në një kohë kur forcat nazifashiste e kryesisht të Ballit Kombëtar ishin në kulmin e misionit të tyre për asgjësimin e forcave partizane në këtë zonë ku ndiqej për gjendjen e asgjësimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNAÇ me në krye shokun Enver Hoxha dhe kur forcat e Ballit Kombëtar kishin goditur grupin ushtarak të misionit anglez dhe kishin zënë të plagosur komandantin e tij gjeneral Dejvsi.
Së dyti – Në këtë kohë forcat partizane të Martaneshit Nikolsin të shoqëruar nga dy oficerët ushtarak të grupit ishte dërguar në zonën e Matit dhe ishte vendosur në shtëpinë e patriotit Mahmut Kuli në fshatin (Periferi) Gurabardhë i mbrojtur nga njësitet partizane të çetës Matit dhe forcat vetë mbrojtjes të fshatit.
Së treti –Ish i ngarkuari nga komanda e Batalionit partizan të Matit komisari shoku Xhemal Panavina dhe pasi mori aprovimin e kërkesës të Nikolsit e dërgojë dhe e dorëzojë personalisht tek shtabi i Abaz Kupit në fshatin Shupal ku e ka marrë në dorëzim ish komandanti i grupit të misionarëve ushtarak anglez tek shtabi i A. Kupit, koloneli Mickloan që kishte lidhje direkt me komandën e forcave anglo-amerikane në Brindisi të Italisë dhe që kishte marrë përsipër që ta merrte Nikolsin me anije nga një bazë detare ilegale në bregdetin e Shqipërisë. Por ky premtim nuk u realizua, Nikolsi qëndrojë në shtëpinë e Toptanëve në Kodrën e Kamzës gjersa vdiq.
Këto mi ka treguar shoku Xhemal Panavina që ishte marrë personalisht nga fillimi e deri në fund me problemin e kolonelit anglez Nikols dhe akuzoi misionin britanik që kishte përgjegjësi për vdekjes e Nikolsit dhe sipas thënieve të mjekëve kirurgë të spitalit, nëqoftëse do të ishte operuar, Nikolsi do të kishte jetuar siç ndodhi dhe me partizanët shqiptarë që bënë të njëjtin operacion. Është e vërtetë që shtëpia e Sulejman ose Lika Toptanit në Kodrën e Kamzës në Tiranë ka qenë bazë ilegale, ku janë strehuar krerë të Legalitetit si Abaz Kupi dhe disa misionarë anglez si Makliu, Emeri, Smajli, dhe Ester Kemp, që së bashku me Sulejman Toptanin në vitin 1944 vëzhguan përbërjen e fushës së aviacionit në Tiranë. Sasinë dhe llojet e aeroplanëve pozicionet e llojet e artilerisë ajrore, kazermat dhe depot e municioneve efektivin e forcave ushtarake dhe shtyrja e fushës ku manovronin avionët. Këto të dhëna i janë dërguar Shtabit të Mesdheut në Itali. Like Toptani ka pasur lidhje me Gjikë Kuqalin (ish antar i komitetit të Rinisë Komuniste të Tiranës dhe e ka takuar disa herë në shtëpinë e tij në rrugën e Elbasanit. (Dëshmor i LANÇ-it i pushkatuar në kampin e Prishtinë, ishte arrestuar më 4 shkurt 1944 në Tiranë)
Shkrimi i mësipërm tregon të vërtetën e kujdesit të treguar nga shtabi i Ushtrisë partizane dhe personalisht komandantit të tij shokut Enver Hoxha për jetën e oficerit anglez Nikols, me kushte të rënda klimatike e ushtarake në një kohë që forcat ushtarake naziste gjermane së bashku me forcat e Ballit Kombëtar që kishin ndërmarrë operacionin për likuidimin e forcave partizane dhe veçanërisht të Shtabit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që gjendej në zonën e Martaneshit me në krye komandantin e tij, dhe që ndihmohet lexuesi për të kuptuar sesa e pavërtetë është akuza që ngrihet në artikullin e autorit duke shfrytëzuar meritat kombëtare që ka familja Toptanase për të mohuar meritat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe shokut Enver për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazistë gjermanë dhe demaskimin e Ballit Kombëtar.
*Historian e veteran i LANÇ
/Gazeta "Sot"/





