Mazhoranca ka depozituar në Kuvend një projektligj të ri për disa ndryshime në Kodin e Familjes. Pjesë e këtij projektligji janë edhe ndryshimet në ligjin për birësimin e fëmijëve, ku për herë të parë propozohet që kjo e drejtë t’u njihet edhe personave që nuk janë të martuar, ndryshe nga deri më sot ku vetëm çiftet e martuara mund të kryejnë birësim.

Në propozimin e ri shtohet edhe birësimi nga një person i vetëm apo nga një çift që bashkëjeton prej të paktën 3 vitesh.

Në draft sqarohet se duke qenë që shoqëria shqiptare po evoluon, kërkohet që e drejta e birësimit t’ju njihet çifteve heteroseksualë në bashkëjetesë. Ndërkohë nuk ka shpjegime lidhur me propozimin e birësimit edhe nga një person i vetëm.  Ndryshimet në kodin e familjes kërkojnë 84 vota çka do të thotë që nuk mund të miratohen pa opozitën.