SHKUP, 21 prill 2013 – Banorë të fshatit shqiptar bullgarisht-folës të Pustecit (ish-Liqenas) kaluan pikën e kontrollit kufitar në Shën Naum për të marrë pjesë në në raundin e fundit të zgjedhjeve vendore në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë për kryetarin e komunës Qendër, raportoi agjencia e lajmeve bullgare FOCUS, që i referohet televizionit maqedonas A1On.
Në pikën kufitare, rreth orës 11, sipas kohës vendore, mbërritën tre autobusë dhe tre furgonë dhe disa vetura me pustecarë.
Nuk dihet ende numri i saktë i shtetasve shqiptarë, të cilët kanë marrë kartat e identitetit ditën e fundit, me adresa në Shkup, njofton A1On.
Por në balotazhin në qendër të qytetit, ata votuan në numër të madh.
Njerëzit ishin të çorientuar dhe nuk e dinin se në çfarë rruge banojnë dhe kur i pyesin shpesh ngatërrojnë Pustecin me Prespën.
Adresat në kartat e identitetit ose ishin shtëpi të braktisura ose rrugë si ajo me emrin “Maksim Gorki”, ku figuronin 60 banorë, njofton FOCUS-i në versionin bullgarisht.
Sikurse është bërë e ditur, sot në IRJ të Maqedonisë zhvillohen rivotimet për raundin e dytë zgjedhor në tre komuna, si dhe votimet për raundin e dytë në një komunë.
Rivotimet për raundin e dytë po zhvillohen në komunat Strugë, Qendër dhe Gjorçe Petrov të Shkupit, ndërsa raundi i dytë i rregullt po zhvillohet në komunën e Dollnenit.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) informoi se në ora 07.00 të mëngjesit në kohën e duhur janë hapur të gjitha 78 qendrat e votimit ku do të votohet në këto komuna.
Në komunën Qendër po rivotohet në 29 qendra, në Strugë 9 qendra, në Gjorçe Petrov në një qendër votimi.
Në komunën e Dollnenit po zhvillohet raundi i dytë në 39 qendrat e kësaj komune, njoftoi agjencia e lajmeve në gjuhë shqipe INA.
Fotot janë të televizionit A1On: autobusë, furgonë, vetura me pustecarë në Shën Naum drejt Shkupit
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





