Një mënyrë për të kuptuar performancën e industrisë portuale të një vendi është që të shikosh volumin për frymë të popullsisë.
Është Eurostat që ofron të dhëna të tilla dhe raporton se Holanda llogarit 33 tonë në vit për banorë, në Belgjikë kjo shifër llogaritet në 20, ndërsa mesatarja e BE-së është 7.3. Norvegjia ka mesataren më të lartë me 40 tonë në vit për frymë. Në Shqipëri, kjo shifër është e ulët nën këtë mesatare, më saktësisht në 1.4 tonë ose katër herë më e ulët se mesatarja e BE-së. Kështu shkruan Peter de Langen, analist në Portin e Roterdamit, në dapartamentin e Strategjisë Korporative.
Sipas tij, kjo shifër nuk është e justifikueshme në rastin e Portit të Durrësit, i cili shërben si për Maqedoninë, ashtu edhe për Kosovën. “Zhvillimi i këtij porti duhet të ecte paralelisht me hapjen e ekonomisë.
Rritja, përmes përmirësimit të konkurrueshmërisë ndërkombëtare dhe përmes eksporteve, është e nevojshme për ekonominë e Shqipërisë për të arritur ekonomitë fqinje, për këtë roli i portit është kritik.
Ndërlidhja portuale e Shqipërisë (shprehur nga UNCTAD përmes Liner Shipping Connectivity Indicator, LSCI) është ndër tre fundit në Europë, së bashku me Letoninë dhe Malin e Zi. Studimet e mëparshme kanë treguar situatën e qartë mes ndërlidhjes së ulët dhe kostos së lartë të tregtisë, por edhe mes kostos së lartë dhe vëllimeve të ulëta të tregtisë. Për shembull, Shqipëria nuk është e lidhur direkt me partnerë të rëndësishëm tregtarë të tillë si Turqia dhe vendet e pjesës veriore të Europës.
Përmirësimet e tilla si: thellimi i basenit, ankorimi i anijeve të tonazhit të madh, lidhja më e mirë me hekurudhën, procedurat e lehtësuara doganore, janë të rëndësishme për Portin e Durrësit. Peter de Langen është i mendimit se menaxhimi autoportual ka nevojë për përmirësime dhe kjo është një situatë e ngjashme edhe në portet e tjera.
Roli kryesor i Autoritetit Portual të Durrësit është të investojë në infrastrukturë për ta bërë atë më të mirë, vendosja e marrëdhënieve të mira mes konsumatorëve, përdoruesve të portit (koncesionarët, linjat e transportit detar, importuesit dhe eksportuesit), si dhe zhvillimi aktiv i biznesit për të tërhequr përdorues të rinj në port. Autoriteti, sipas de Langen, duhet të ndërmarrë iniciativa për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve portuale, por kjo kërkon një tranzicion të madh të strukturës institucionale, aftësi dhe organizim. Në shumë vende, procesi i tranzicionit është i ngadalshëm, duke pasur parasysh pengesat.
Megjithatë, në Shqipëri, më shumë sesa në vendet e tjera ka nevojë për ndërhyrje emergjente. Një autoritet portual që performon dobët, dëmton ekonominë.
MONITOR





