Eksport-importet me Turqinë, Rusinë dhe Italinë nga/drejt portit të Durrësit zenë më shumë se gjysmën e mallrave të përpunuara në 6-mujorin e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në APD, në vendin e parë për shkëmbimin e mallrave është Turqia, me 24 për qind të vëllimit të përgjithshëm të mallrave që përpunohen në Durrës, ndërsa në vendin e dytë dhe të tretë ndodhen Rusia dhe Italia, me përkatësisht 17 dhe 13 për qind.

Nga të njëjtat pasqyra mësohet se Malta, Greqia dhe Libia shkëmbejnë me anijet që nisen nga/drejt Durrësit, secila nga 7 për qind të vëllimit të përgjithshëm të mallrave, ndërsa me nga 3 për qind ka një sërë vendesh të tjera, si Spanjë, Ukrainë, etj.

Rusia me 29 për qind, Turqia me 19 për qind, dhe Greqia e Italia janë vendet nga të cilat mbërrijnë më shumë mallra importi, ndërsa gjysma e mallrave të prodhuara në vendin tonë shkojnë në portet e Italisë, 40 për qind të tjera në Maltë, 8 dhe 2 për qind përkatësisht në Turqi dhe në Francë.

Në portin e Durrësit janë përpunuar në 6-mujorin e parë të këtij viti afro 1 milion e 826 mijë tonë mallra me anije dhe tragete.