Eljo Hyska prej disa ditësh bashkë me 2.200 të rinj është në kampin e Jalës. Duket se tashmë “lufta” me LRI-në ka përfunduar dhe kryetari i FRESSH-it shprehet se gjithçka po ecën më së miri në këto ditë. Në një intervistë dhënë për “Summer Pages” të “Gazeta Shqiptare”, ai tregon detaje nga pushimet në Jal. Goca të bukura duket se ka plot, por Eljo ka pak kohë në dispozicion për t’i parë, sidomos ato të LRI-së. Hashash apo alkool në kamp? Kryetari i FRESSH-it na thotë se janë marrë të gjitha masat që të mos ndodhë asnjë incident. Sa i përket asaj nëse bëhet apo jo seks, nuk di të thotë gjë, pasi nuk i futet askujt në çadër.
Si po ecën kampi në Jal?
Kampi është, në fakt, kampi më i madh që ne kemi zhvilluar ndonjëherë si forum, po besoj edhe kampi më i madh që është zhvilluar ndonjëherë nga një forcë politike. Janë 2.200 të rinj të cilët janë pjesë e këtij eventi. Është një eksperiencë e pazakontë, do thosha unë. Ne si forcë kemi përballuar sfida shumë të mëdha, kemi qenë përballë qindra njerëzve, aksione të ndryshme në fushatë, po jo vetëm. Është magjike të menaxhojmë plot energji të jashtëzakonshme këta të rinj në Jal.
Si u pajtuat me LSI-në për sa i përket kampit? U duk sikur e morët seriozisht atë ‘luftën’ në fillim…
Jemi anëtarë me të drejta të plota në këtë organizatë. LRI-ja kishte aplikuar për të qenë mikpritëse e kampit dhe ne si FRESSH u ofruam si organizatë suportuese dhe kemi ndarë pothuajse gjysmën e organizimit. Unë besoj se jemi treguar mjaftueshmërisht të pjekur, si ekipi drejtues i FRESSH-it, si ekipi i LRI-së me Kejdi Mehmetajn, për të lënë përplasjet e brendshme që kemi si forca politike.
Duket se LSI-ja dhe PS-ja kanë bërë një ‘luftë’ gjatë fushatës. Po në Jal, janë pajtuar?
Ne këtu në Jal jemi shumë të paqtë. Të paktën nga ana e FRESSH-it, po edhe nga ana e LRI-së, nuk kemi pasur probleme apo konflikte. Vera i ka relaksuar përplasjet apo konfliktet mes të rinjve. Jemi gati të përballemi çdo ditë me LSI-në, PD-në për debate politike, pasi ne besojmë se nuk mund ta bëjnë ata më mirë qeverisjen e vendit sesa Partia Socialiste.
Flisni ndonjëherë me kunja aty me njëri-tjetrin? Ndonjë detaj që mund të më thoni?
Realisht është e pamundur në kohë fizike të kemi kontakte apo të ndjejmë kunja nga të jashtëm. Jemi forumi më i madh në vend. Ne mund të merremi vetëm me veten.
Kam parë që kanë ardhur disa politikanë në Jal. Si i ka parë Eljo politikanët që zhveshin kostumin e punës e vijnë në Jal?
Në fakt, kampi i kampionëve i ka mbërthyer të gjithë, të gjithë janë duke mbërritur, deputetë, ministra, kishim edhe kryeministrin Edi Rama. Drejtuesit që kanë qenë prezentë në kamp, nuk kanë ardhur vetëm për pushime, por kanë ardhur edhe në kuadër të takimeve me të rinjtë. Të rinjtë nga qarqe të ndryshme janë duke ndërtuar draft-programin me të cilin FRESSH-i do të lobojë në vitet 2017-2021. Jemi duke hedhur hapat e parë për një program që do të jetë shtylla ku do bazohet ekzistenca e FRESSH-it në katërvjeçarin e ardhshëm.
A do lahet Rama në Jal?
Nuk e di. Por, edhe në qoftë se lahet, nuk do lahet me orë të tëra. Boll rekorde thyem në këto zgjedhje!
Rama ka timonin e qeverisë, të Shqipërisë. Kush e ka timonin te kampi i Jalës, Eljo apo Floida?
Në kampin e Jalës, unë besoj që, sa i përket kësaj vere, e ka FRESSH-i dhe kampionët e FRESSH-it, pasi më shumë se kampi, këtë e tregon rezultati i zgjedhjeve të 25 qershorit. Ne jemi dhjetëra të rinj që punojmë fort, që organizuam fushatën, dhe këtë e treguan rezultatet e zgjedhjeve dhe besimi i qytetarëve.
A pihet alkool, hashash apo a bëhet seks në kamp?
Ne si ekip organizator kujdesemi që në kamp të mos ndodhë asnjë nga këto fenomene. Ne kemi njoftuar Policinë e Shtetit dhe ka masa rreptësisht të ndaluara për pjesën e hashashit.
Po seks, a bëhet?
Nuk i kam hyrë në çadër njeriu, po njerëzit më duken të çtensionuar.
A ka goca të bukura në Jal, për Eljon?
Këtë duhet të vish ta shohësh. Vajzat e FRESSH-it janë vajzat më të mira.
A ka ngacmuar Eljo ndonjë gocë, të LRI-së për më tepër?
Unë dhe ekipi jemi në krye të detyrës e nuk na e lejon koha fizike të kemi impenjime të tjera.
Jashtë kampit të Jalës, a ka Eljo të dashur?
Jo jo, jam ‘single’. Ka qenë një vit i vështirë sa i përket karrierës dhe nuk kam pasur hapësira për t’iu dedikuar jetës personale.
A do të ta tërheqë këmbën Turi?
Tani ai do e tërheqë këmbën, por për më vonë, se është ende herët. Unë jam vetëm 24 vjeç.