Shumica e emigrantëve shqiptarë në Itali po shfrytëzojnë makinat e tyre me targa shqiptare, për t`iu shmangur sigurimeve të larta italiane.

Shqetësimi vjen nga Shoqatat Italiane të Sigurimeve, të cilat muajin e kaluar kanë shfaqur reagimin për të parandaluar këtë veprim të emigrantëve shqiptarë.

Sipas mediave italiane, shtetasit shqiptarë, që kanë edhe shtetësi italiane, i blejnë makinat e tyre në Itali, më pas i doganojnë në Shqipëri dhe me tabelat shqiptare i ngasin nëpër Itali. Kjo sipas Shoqatave italiane të Sigurimeve i shkakton humbje të mëdha shtetit italian, në sferën e tatimeve dhe sigurimeve. Por, në të njëjtën kohë humbje të mëdha kanë pësuar edhe dhjetëra kompani italiane të sigurimeve.

“Në vend që të paguhen 2000 euro për një sigurim të plotë në Itali, ata sigurojnë për 200 euro makinat e tyre në Shqipëri dhe gëzojnë sigurimin e plotë”, shpjegojnë organizatat e sigurimeve.

Ky problem ka përfshirë pothuajse tërësisht Padovën  ku numri i targave nga Shqipëria të bën të mendosh se je në Shqipëri. Emigrantët shqiptarë kanë theksuar për portalin comeze se ata nuk thyejnë ligjet italiane dhe nuk bëjnë shkelje ligjore në sferën e sigurimeve, porse ata kanë ndërmarrë një veprim të tillë për t`iu shmangur sigurimeve të larta italiane në këtë kohë të krizës ekonomike.