Teuta u është kthyer përgatitjeve në Durrës për ndeshjen e parë ndaj Inter Escaldes, e vlefshme për raundin e dytë eliminator të Conference League. Blutë duken gati për të synuar kualifikimin në këtë ndeshje. Mesfushori i Teutës, Emiliano Vila, ka folur para ndeshjes kundër Inter Escaldes, aty ku ka prekur disa tema në lidhje me këtë takim dhe me skuadrën e tij. Vila foli për kundërshtarin në Europë dhe objektivin që ka në këtë ndeshje.

Si është gjendja e skuadrës?

Skuadra është gati, por gjithsesi do të tregojë ditën e ndeshjes se sa mirë ne jemi përgatitur. Gjendja e lojtarëve ka qenë e mirë dhe kemi qenë përgjithësisht të përqendruar për të marrë më të mirën nga këto përgatitje që kemi bërë deri më tani. Mendoj se do të jemi në gjendje të bëjmë një ndeshje më të mirë në krahasim me ndeshjen ndaj Sherif Tiraspolit.

Sfida me Inter Escaldes. Cila është rëndësia e kësaj përballjeje?

Është e rëndësishme si ndeshja përballë Sherif Tiraspolit, madje ndaj tyre s’duhet të kemi hije dyshimi nëse do ta fitonim apo jo, kjo është më e vështirë si ndeshje, por është e domosdoshme që duhet të fitojmë. Është një ndeshje që patjetër duhet ta fitojmë me gjithë respektin që kemi për ketë ekip.

Luani ndaj Inter Escaldes, një ekip që është në një nivel jo të lartë. Sa të lehtë e bën kjo?

Detyrim është pasi çdo ndeshje luhet për t’u fituar, kundrejt cilësdo skuadre që do të luajmë dhe ndaj cilitdo kundërshtari. Respektojmë çdo skuadër, por ajo që ne kërkojmë është që në fushën e lojës të fitojmë patjetër.

Kujt i druheni më shumë nga kundërshtari?

Inter Escaldes, pavarësisht që vjen nga një vend si Andorra, besoj se është një skuadër e fortë, pasi nuk është kot në këtë kompeticion, por do ta godasim te pikat e dobëta. Ka një ekip të mirorganizuar dhe është e vështirë t’u shënosh. Ka gjithashtu një mesfushë të mirë, që del shpejt në kundërsulm. Ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos zhbalancohemi gjatë ndeshjes, pasi realisht mund të na kapin në befasi. Inter Escaldes ka vënë në vështirësi edhe ekipet para nesh dhe duhet të jemi realistë se është skuadër e mirë.

Në këtë takim keni ju më shumë presion apo Inter Escaldes?

Presion ke gjithmonë, jo vetëm në këtë takim, por edhe kur luan kundër një ekipi të madh, pasi të duhet fitorja patjetër. Mendoni se të jesh në një kompeticion si Conference League nuk duhet të kesh presion asnjëherë? Normalisht që ke, pasi duhet të tregosh gjithmonë që ti je më i miri.

Çfarë këshillash keni marrë nga trajneri?

Shikoni, kjo do të jetë nga ato ndeshje që ne duhet të jemi të duruar, pasi përballë kemi një skuadër që luan shumë e ngjeshur dhe që të lë pak hapësira. Duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi përpara porte, sado e vogël të jetë gjatë ndeshjes. Për të fituar ndaj Inter Escaldes duhet të sillemi si një ekip i madh në fushë dhe, e përsëris, të shfrytëzojmë çdo rast minimal që na paraqitet.