Finalizohet një operacion policor antidrogë në Durrës i koduar “Agjencia”, vihen në pranga 3 shtetas të cilët kishin përshtatur një agjenci private sigurimesh, për të shitur doza kokaine dhe cannabis sativa.

Njëri prej të arrestuarve, pronari i agjencisë, ndërsa një të arrestuari tjetër iu gjet dhe një përforcues grushti.

Si rezultat i një hetimi disajavor, të ndjekur me metoda speciale, nga Policia dhe Prokuroria e Durrësit, në vijim të punës kundër krimeve në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me ata të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Agjencia”, si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit:

Ermand Bejdo, 37 vjeç, Edmond Mehmeti 41 vjeç dhe Alen Gjyzeli 19 vjeç, të tre banues në lagjen nr. 14, Durrës.

Nga veprimet hetimore rezultoi se këta 3 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur një agjenci private sigurimesh, në pronësi të shtetasit E. B., në lagjen nr. 14, për shitjen e lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa, në doza.

Gjatë kontrolleve të imtësishme në këtë ambient, si dhe ndaj shtetasve të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, të ndara në doza të gatshme për shitje, një shumë parash (në lekë dhe në euro) e dyshuar e përfituar nga shitja e tyre, 1 peshore elektronike, 1 përforcues grushti (që iu gjet shtetasit A. Gj.) dhe 3 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.