Golashënues absolut i brezit të ri të futbollit. Plot 36 herë ka tundur rrjetën këtë sezon 18-vjeçari i ekipit të Shkëndisë së Durrësit, i cili premton të shndërrohet në një nga talentet e sportit të topkëmbës. Trajneri i përfaqësueses së U-19, Foto Strakosha, nxitoi ta përfshijë Rezin në përbërje, ashtu siç mendohet dhe besohet se do të bëjnë edhe kolegët e tij të kombëtares Shpresa dhe pse jo edhe të kombëtares së parë

Teksa komentoja për çdo javë ndeshjet e Shkëndisë së Durrësit, gjithnjë isha i detyruar të nënvizoja se autor i golit apo i golave ishte Ermir Rezi. Madje kishte raste si në ndeshjet me Bilisht Sport dhe Elbasanin që të katër golat e takimit të ishin shënuar nga Ermir Rezi. Kisha lexuar kohë më parë një shkrim të një kolegu, i cili kur vendosi të shkruajë për Ermir Rezin materialin e përgatitur e titulloi: “Rezi, makineri golash”. E kjo sintezë funksionale për bëmat e tij me topin, më detyroi të tregohesha edhe unë origjinal në cilësitë e tij golashënuese. Dhe mendova se rrjeta e portave kundërshtare, është hobi i tij, është ëndrra e tij, është karriera e tij. E po ky njeri mund të konsiderohet si i lindur në rrjetë! Ermir Rezi! Një emër i zakonshëm i një djaloshi ëndërrimtar, i cili si qindra bashkëmoshatarë të tij e nisi rrugën e topkëmbës me dëshirën e madhe për t’u bërë futbollist. E ta mendosh këtë, se ky Rezi është lindur në fshatin Rubjekë të komunës së Maminasit, është më shumë se guxim dhe një lloj kurajoje sfiduese.

Ja që dëshirat e ngritura mbi një bindje, mbi një pasion dhe vullnet, mbi një të ashtuquajtur  guxim mbi ardhmërinë e tij të mbarë, janë tejet të forta dhe ngacmuese për të shkuar atje ku ta taksur zoti. Dhe më vjen mirë që një djalosh si Ermir Rezi, i lindur me 12 maj 1994, të prekë nga afër atë çfarë ka prodhuar tërë këtë kohë dhe që bukuria e jetës së tij sportive, të shtrihet kaq ëmbël në një shkrim si ky në Dyrrah-un e 9 korrikut 2012. Ndoshta edhe ana formale e asaj çka ky sportist përfaqëson, shkon në një hap me udhën e vështirë, por nderuese që ka zgjedhur në futboll. Mbiemri Rezi- të ngjason me një rreze në prarim e sipër, për të zbardhur e ndriçuar më shumë pjesët e pa shfaqura të asaj që ai kërkon të bëjë. Nga ana tjetër, ai përfaqëson Shkëndinë që mendoj se i shkon hapave të para të tij të mjeshtrisë, që janë si shkëndija tani për tani por që më tej mund të kthehen në një verbim ëndërrimtar.

Dhe ky është përsëri ai që quhet Ermir Rezi. Bëja një luftë me vetveten: a mos e teproja t’i ofroja një faqe të Dyrrah-ut Ermir Rezit! Pse të ishte kështu? Dhe befas retorika trokiste në psikologjinë e artikullshkruesit: po pse mund ta kritikoje Ermir Rezin, që ishte “tallur” me rrjetën në 29 ndeshje plot 36 herë”!? Ky prodhimtar rrjetash, jam i bindur se në vijimësi do tua “vjedhë” kujdo gazetari sportiv jo një faqe, por shumë me tepër se kaq. Sepse dimensionet e talentit të tij janë në zgjerim dhe ne do të na vijë mirë më pas, se me 9 korrik 2012 Dyrrah e shtriu në një faqe çudinë e këmbëve të tij, mrekullinë e përplasjes së topit në rrjetë si ai, që një rast i dytë zor se mund t’ia gjesh thjesht edhe për krahasim apo konkurrim.

Fillimi

Për Rezin më kishte folur gjatë Astrit Zhupa. Ky është mjek në shkollën e mesme sportive “Bernardina Qerraxhia” në Durrës. Për shkak të detyrës është ndjekës i Rezit gjithandej ku ai shfaq vlerat e tij golashënuese. “Është djalë i talentuar,- më tha një ditë Astrit Zhupa. Është i paparë, nuk ka mbrojtës ta mbajë dhe aq më pak një portier, që kur luan ai të mos e ketë kthyer kokën pas, për të parë përplasjen e topit në rrjetë”. Prita të mbarojë kampionati i 19-të vjeçarëve, që t’i kushtohesha një artikull këtij futbollisti që famën e ka nga pas. E gjitha Rubjeka dhe zona e Maminasit krenohet me djalin tyre. Në familjen e Zyber Rezit, as që ishte menduar që lindja e Ermirit do të shënonte edhe lindjen e një talenti të ardhshëm të futbollit. I shkathët dhe i lëvizshëm që në vogëli, aq sa Qazim Koni, mësuesi i futbollit në Maminas, ia ngjiti topin tek këmbët që në moshën 6 vjeçare. Ermiri kujton se shkak për ta çuar në rrugën e futbollit, u bë edhe shoku më i rritur Ardit Sula. Kështu Qazim Koni e mbajti golashënuesin e ardhshëm të të rinjve, plot 6 vjet në ekipin e tij.

“Kisha qejf të bëja gola e t’i ngjaja Ronaldos,- komenton Rezi dëshirat e para në futboll. Porta më tërhiqte shumë dhe gëzohesha kur e kaloja topin në kuadratin e vogël të shtyllave prej hekuri. Fillova ta konkuroja golin që në këtë moshë, duke fantazuar tërë natën teksa vendosja kokën në jastëk. Më dilnin përpara porta, mbrojtësa, portierë dhe zoti më çonte të fitoja mbi ta. Kështu në psikologjinë time, goli është ulur këmbëkryq që herët. Duke mbrojtur ngjyrat e Maminasit në kampionatet e moshave, mbarova edhe shkollën 9-vjeçare këtu. Dhe më tej gjithçka tjetër”.

Tirana dhe shkolla

Maminasi është kufiri ndarës i Durrësit me Tiranën. Është privilegj i kësaj qyteze të zhvilluar, që njerëzit që jetojnë këtu, ta ndjejnë afërsinë me metropolin e vendit njëlloj si me Durrësin. Dhe nuk ishte aspak çudi, që Ermir Rezi zgjodhi kryeqytetin për të punuar e thelluar pasionin dhe vullnetin e tij për futbollin. Në Tiranë gjeti një mjedis magjik, që i shkonte për shtat dëshirës së tij për t’u bërë dikushi në futboll. Dhe e ndjeu shumë shpejt, që të ushqesh karrierën duhet punë, djersë dhe sakrificë. Dy vite me rradhë, për çdo ditë, djaloshi me emrin Ermir Rezi ndiqte seancat stërvitore të ekipit që drejtonte ish-futbollisti i njohur bardheblu Skënder Hodja. Aftësitë e tij dolën shpejt në pah. Ndonëse 15 vjeçar, Hodja kishte nevojë për një talent si ai që ta aktivizonte në ekipet me moshë dy vjet më lart. “Unë luajta me 92-shat, thotë Rezi. Kjo më ndihmoi të krijoja më shpejt sa ç’kërkohej, përvojën dhe improvizimet me topin, për të kompesuar me forcën e vullnetit dhe të punës diferencën e moshës me kundërshtarët e mi. Bëja çbëja, rrjeta ishte synimi im dhe përpiqesha ta kaloja sferën atje ku duhej. Por gjithnjë vija “bast” me portierët, se si do që të ishte topin në një rast kisha për ta kaluar në rrjetat e tyre.

Por mbi të gjitha vendosja “ bast” me veten time, në se do të dilja nga ndeshja pa më “hëngër” këmba gol. Më ishte fiksuar t’i ngjaja Ronaldos, përsa i takon shpejtësisë në veprime dhe veçanërisht përplasjes së topit në rrjetë. Ndoshta kërkoja shumë, por këtë fiksim kisha”. 24 muaj ecejake Maminas – Tiranë, e forcuan djaloshin dhe e bindën se rruga e futbollit do t’i dhuronte kënaqësi dhe optimizëm. Vendosi të konkurojë në shkollën e mesme sportive “Bernardina Qerraxhia” në Durrës, gjithnjë duke ruajtur profilin e futbollit. E gjithë juria e përbërë nga specialistë me emër, votuan njëqind përqind që Ermir Rezi të regjistrohej në shkollën e futbollit. “Normat i fitoi me lehtësi. Po kështu edhe pikët në të gjitha treguesit i realizoi të plota. Rezi që në atë ditë të konkurrimit, u fiksua nga ne si sportist që meriton të ardhme inkurajuese”,- kujton atë ditë mjeku sportiv Astrit Zhupa, i cili është tejet i pozicionuar në karrierën interesante që e pret djaloshin nga Rubjeka Ermir Rezin.

36 gola në 29 ndeshje

Nuk jemi në gjendje të përcaktojmë në se kemi të bëjmë me një rekord Guinnes, por ajo që ndjejmë siguri për ta pohuar me zë të lartë është: zor se ka një të dytë si Ermir Rezi në futbollin shqiptar, që në 29 ndeshje të ketë shënuar 36 gola. Kjo mund të vlejë edhe për retrospektivë, sado e largët qoftë. “Dashuria” e lidhur e Ermir Rezit me rrjetat e portave, duket se do të vazhdojë më gjatë sa ç’mendohet. Dy vitet e para të shkollës së mesme luajti me U-17 dhe më tej veshi fanelen e U-19-tës. Ndonëse Shkëndija e Durrësit, është në vendin e gjashtë në renditjen finale të kampionatit, ajo krenohet me faktin tjetër se në përbërje ka golashënuesin më të mirë ndër 15 ekipet, Ermir Rezin. “Gëzon cilësi të lindura për futbollin,- tregon për të trajneri Agron Kërçova. Veçanërisht rrjetat e portave të rivalëve janë hobi i tij. Shënon edhe në pozicione befasuese dhe intuita e tij sa vjen e pasurohet me elementë të avancuar. Gjithnjë mbetet një hap para mbrojtësit, aq sa i duhet të manovrojë për të shënuar. Mjaft të ndodhet brenda 16-të metërshit, në çdo pozicion të këtij kuadrati ai është në gjendje të shënojë dhe rrezikojë seriozisht rrjetat”. Në 50 golat që shënoi Shkëndija D, 36 i takojnë vetëm një futbollisti, Ermir Rezit. Ndodh diçka e çuditshme në rastin e këtij futbollisti. “Më kanë “hëngër” tri gola. Në ndeshjen me Kamza-Shkëndija D, nuk më është vendosur në protokoll një gol dhe në takimin tjetër Shkëndija D – Skëndërbeu, të dy golat e shënuar ia vendosën një tjetër shoku të ekipit. Unë s’kam gjë me ta dhe as nuk dëshiroj të bëj thjesht vërejtje.

Problemin e kam me veten time, sepse dua të testoj aftësitë e mia, punën e jashtëzakonshme që bëj çdo orë, çdo ditë. Jam i çmendur pas golave. Ja kam bërë një si statistikë. Në tri vitet që luaj futboll me shkollën, në 65 ndeshje kam shënuar 62 gola. I bie mesatarisht 20 gola për sezon. Ndërsa vetëm këtë vit shënova gjysmën e kësaj shifre. Është një e dhënë që më ndihmon, të jem akoma edhe më i saktë. Goli është fryti i ndeshjes dhe rezultatin ta jep kalimi i topit në rrjetë. Këtë ma do mendja duhet ta bëj akoma edhe më mirë në vijimësi”,- shprehet goleadori më i mirë i kampionatit të të rinjve Ermir Rezi. Trajneri i përfaqësueses së U-19 Foto Strakosha nxitoi ta përfshijë Rezin në përbërje, ashtu siç mendohet dhe besohet se do të bëjnë edhe kolegët e tij të kombëtares Shpresa dhe pse jo edhe të kombëtares së parë. Përballë dukurisë Rezi, gazeta “Dyrrah” nxiton jo vetëm ta evidentojë këtë fenomen, por shpreh me këtë rast bindjen se kemi të bëjmë me një futbollist tejet të talentuar. Ky është njeriu gol, apo i lindur në “rrjetë”, 18 vjeçari Ermir Rezi.