Në Ohër, presidenti serb Aleksandër Vuçiç u pajtua me aneksin për implementimin e ujdisë mes Kosovës e Serbisë, por me të dalë prej andej deklaroi se nuk mund të firmoste asgjë “për shkak të dhimbjes torturuese në dorën e djathtë”.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon tha se kjo tallje u prit keq në Bruksel dhe kryeqytetet kryesore të Bashkimit Europian.

Zyrtarja europiane e bëri të qartë se anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk varet nga Serbia. Ajo kujtoi se pozicioni ndërkombëtar i Beogradit sot nuk është shumë i mirë, për shkak se refuzoi t`i vendoste Rusisë sanksione për luftën e Ukrainës.

“Marrëveshja e 27 shkurtit dhe aneksi zbatues janë vërtet revolucionare sepse sjellin një cilësi të re në dialog. Nga gjendja e krizës kalojmë në biseda për thelbin dhe normalizimin pothuajse të plotë të marrëdhënieve.

Kjo sjell përfitime si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, sepse me të vërtetë zhbllokon rrugët e tyre evropiane. Marrëveshja i lejon Serbisë që të sigurojë mbrojtjen e serbëve të Kosovës dhe trashëgimisë së saj kulturore në mënyrën e duhur, ndërsa Kosova merr respekt dhe njohje të plotë për dokumentet, tregtinë e kështu me radhë”, ishte komenti i saj.

Në një intervistë për “Nova”, Von Cramon u shpreh se deklaratat për bllokim të Kosovës në OKB, Vucic i bën sipas saj vetëm për konsum të brendshëm sepse kjo nuk është në dorën e Serbisë.

Sa për marrëveshjen e 27 shkurtit në Bruksel, atë e cilësoi si të detyrueshme edhe pa nënshkrim, duke treguar se tashmë ujdia është pjesë e kritereve për pranimin e Serbisë në BE dhe vetëm zbatimi i plotë i saj do t’i mundësojë Serbisë mbylljen e negociatave.