Peshëngritësja shqiptare, Evangjeli Veli ka shkëlqyer në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Tiranë, teksa ia ka dalë të shpallet kampione Europe në stilin e shkëputjes për peshën deri në 55 kg.

Ajo tregoi menjëherë se do ishte kompetitive, pasi tre provat kaluan me sukses (91, 93, 95 KG). Ky rezultat bëri që Veli të arrijë të dalë më e mira, në vendin e parë.

Në fund, emocionet ishin të jashtëzakonshme, me peshëngritësen shqiptare që e kishte të pamundur të mbante lotët.

Kjo medalje ari me siguri se do të mbahet mend gjatë. Sa i përket renditjes, pas saj u pozicionua peshëngritësja ukrainase Kamila Kontop dhe më pas, ajo nga Belgjika, Nina Streck.