MAQEDONI– Ekipi i ri për hetimin e vdekjes së presidentit të Maqedonisë, Boris Trajkovski do të nxjerrë në pah të vërtetën e rrëzimit të aeroplanit që i mori jetën presidentit dhe shoqëruesve të tij. Hetimi i sërishëm do t’i zbardhë të gjitha momentet e dyshimta, pohon Omer Kuliq në intervistë për “Dnevnik”, hetuesi kryesor për hetimin e sërishëm të hapur për rrëzimin e aeroplanit.

“Nuk do të anashkalojmë asnjë skenar të mundshëm. Besoj se do të vijmë deri te e vërteta, por sigurisht se do të bëjmë gjithçka me qëllim që dëshmitë t’i vendosim në letër, pra t’i dokumentojmë dhe t’i bëjmë të kapshme për të gjithë”, tha Kuliq.

Aeroplani “King Air B-200” më 26 shkurt 2004 ishte rrëzuar në Mostar të Bosnjë e Hercegovinës, ku kishte vdekur presidenti i Maqedonisë Boris Trajkovski, anëtarë të delegacionit të shtetit si dhe ekipi i aeroplanit.