A mundet të jetohet  me tre fëmijë në një kontejner të përmbytur nga balta, shiu, dhe mjerimi? Një panoramë drithëruese, vjen nga banesa e adaptuar si e tillë pas përmbytjeve e Ardian Shahinit në Katund Sukth.

Kokulur prej dëshpërimit, prej marazit, prej skamjes e borxheve, kryefamiljari na pret në oborrin e shtëpisë së tij kontejner, i zhytur në baltë deri më gju. Brenda tij janë fëmijët që ushqehen me bukë e gjizë, të vetmet ushqime që ka marrë borxh në dyqanin e lagjes ditën e sotme. Kryefamiljari tregon se bashkëshortja ka shkuar të kërkojë punë në rrobaqepësi, ndërsa 9 ditë pas përmbytjeve në kontejnerin e tij është ulur dëshpërimisht mjerimi.

Z. Ardian, çfarë po ndodh me ju?

Unë erdha nga Italia dhe pagova truallin për të ndërtuar një shtëpi, se gruan me fëmijë i kisha strehuar në këtë kontejner. Doli Erzeni dhe ne morëm në krahë fëmijët e dolëm. Shpëtuam fëmijët, se gjithçka që kishim këtu iku.

Po tani a keni marrë ndihma?

Jo, nuk na kanë dhënë. Njerëzit e gruas më dhanë këta divane, se mbetën fëmijët në tokë në çimento. Thesin e miellit e mori uji, edhe thesin e fasuleve e gjithçka që patëm, ushqime të ruajtura nga vera për dimër. Na dhanë nja dy batanije ndihma, por i kemi shtruar poshtë në vend të dyshekëve. Rroba na kanë dhënë këtu në lagje që të veshin fëmijët, se lavatriçja iku, e mori uji. Pa lavatriçe e pa ujë, rrobat kanë mbetur pa larë.

Me çfarë po ushqeheni? Çfarë po bëni?

Me borxhe në  dyqane. Herë na japin e herë jo. Kisha ca para kur erdha nga Italia, por na zuri përmbytja dhe mora makinat me zhavorr, se nuk hynin e as nuk dilnim dot në banesë. Na mbyti lumi, e nuk na dhanë asnjë ndihmë për të qenë. Po flenë fëmijët mbi batanije, se dyshekët u përmbytën. Na varfëruan.

Po bashkëshortja a punon?

Gruaja ka shkuar të kërkojë punë në rrobaqepësi, ndërsa unë dua iki në Itali sërish për punë, se nuk kanë fëmijët asgjë. Me se t’i ushqejmë, apo t’i ngrohim nga i ftohti? 

K.H.