Intervistoi Mila Ballhysa

Në ditën e fundit të fushatës elektorale, drejtuesi politik i PD për qarkun Durrës, njëherësh kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë, Edi Paloka, ndërsa bën krahasimin mes fushatës së partisë së tij dhe rivalit politik, PS-së, shprehet se ato janë në dy ekstremitete të kundërta. Sipas Palokës, “fushata e PD-së është fushata e dritës, ajo e partisë në pushtet është fushata e errësirës”.

Nënkryetari i PD-së thekson se funksionarët më të lartë të PS-së në qarkun Durrës janë duke përdorur forma antiligjore për të siguruar votën e qytetarëve.

“Fushata e PS-së nuk zhvillohet në dritën e diellit, por në errësirën e natës, pas orës policore. Funksionarë të PS-së, kryesisht nënpunës, drejtues të bashkisë apo pushtetit qendror, sidomos njerëz të OSHEE-së të thirrur në forcë nga Adrian Çela, koordinatori i PS-së, janë angazhuar në të gjitha format antiligjore për të marrë edhe njëherë votën e qytetarëve dhe banorëve të Durrësit. Kur them forma antiligjore kam parasysh nga shitblerja e votës, që është krimi më i rëndë elektoral, deri tek abuzimet me paratë, me administratën, me asetet etj. Ato që nuk i bënë për 8 vite, po përpiqen t’i bëjnë tani për 8 ditë”,- tha Paloka për “DurrësLajm”.

Më 18 prill, Paloka, gjatë një konference për mediet, listoi mbi 30 emra, të cilët i kishte dërguar në SPAK, për vepra penale të parashikuara në Kodin Zgjedhor. Drejtuesi politik deklaron se veprimtaria e disave prej tyre për shitblerjen e votës nuk është ndalur.

“Ata emra që janë përmendur e kanë nga një dëshmi dhe një provë mbrapa. Edhe pas denoncimit që unë kam bërë, disa prej tyre kanë vazhduar të lëvizin. Janë prapë nën vëzhgim dhe disa prej tyre, pavarësisht se janë betuar, stërbetuar edhe privatisht që as nuk kanë lidhje, as nuk do të merren me këtë punë vazhdojnë të jenë aktivë në shitblerjen e votës”,- deklaron nënkryetari i PD-së.

Duke u ndalur tek Struktura e Mbrojtjes së Votës, funksionimi i së cilës është pranuar tashmë zyrtarisht nga PD, Paloka sqaron se veprimtaria e saj pritet të jetë mjaft aktive sidomos këto ditë të fundit para datës së zgjedhjeve, kur pritet të intensifikohen tentativat për manipulim të rezultatit. Drejtuesi politik e pranon ekzistencën e saj në çdo qark të vendit, ndërsa lidhur me përbërjen e saj ai thotë:

“Janë qytetarë të lirë, janë pjesë e strukturave të PD-së, njerëz që janë të vendosur për të mbrojtur votën dhe demokracinë si gjënë më të shtrenjtë që ne kemi”.

Ndërsa thotë se rezultati i opozitës së bashkuar në qarkun e Durrësit pritet të jetë 9 mandate, kundrejt 5 mandateve të PS-së, Paloka shpjegon edhe arsyet pse është shumë i bindur në fitore. Vetëm një ditë pas takimit që lideri i PD-së Lulzim Basha zhvilloi në Durrës me rreth 500 socialistë të zhgënjyer që iu bashkuan alternativës për ndryshim, drejtuesi politik deklaron se shumë familje të njohura në qytetin bregdetar me bindje të majtë, e kanë kontaktuar për t’i komunikuar se më 25 prill do të votojnë PD.

“Ka dhe figura të njohura në qytetin e Durrësit, familje të njohura si familje të majta prej 30 vitesh që më kanë kontaktuar vetë dhe më kanë thënë: “Nuk durohet dot më! Ne do jemi këtë herë dhe do votojmë vetëm këtë herë për PD dhe do kthehemi sërish të votojmë majtas. Do votojmë këtë herë PD-në, që të largohet ky që është kryeministër”,- thotë Paloka.

Ai është i bindur se pavarësisht tensionimit të situatës në disa qarqe dhe regjistrimit të rasteve të rënda në Kavajë dhe Elbasan, situata në Durrës do të jetë shumë e qetë.

“Në Durrës nuk do të ketë fare situata të tilla, përkundrazi do të jetë një ditë shumë e qetë dita e zgjedhjeve dhe në fund do të kthehet edhe në ditë feste besoj”,- thotë Paloka.

Përgjimet e dosjes 339 për votimet e qarkut të Durrësit në vitin 2017, përveç zhurmës mediatike njollosën procesin zgjedhor. Sipas Palokës, tentativa të ngjashme po regjistrohen edhe në këto zgjedhje, ndërsa drejton gishtin ndaj 2 deputetëve të maxhorancës.

“Emri që na është evidentuar dhe njerëzit që po lëvizin më shumë për blerjen e votës janë ata të Lefter Kokës. Praktikisht, disa raste që ne i kemi të evidentuara, edhe të regjistruara e incizuara, janë persona që punojnë për Lefter Kokën. Është edhe Jurgis Çyrbja që përpiqet në zonën e ish-komunave, por të gjithë janë nën kontroll”, tha Paloka.

Në apelin e fundit drejtuar votuesve të qarkut Durrës, ai bën thirrje për pjesëmarrje masive në votime.

“Më datë 25 të dalin të gjithë të votojnë, ata që duan ndryshimin, që nuk durojnë dot më si shumica e shqiptarëve. Vota është forca jonë”,- thotë Paloka.