Veshja e “Velierës” do të kushtojë 1.8 miliardë lekë të vjetra pa TVSH ose 2.2 miliardë lekë të vjetra me TVSH.

Durrsakëve do t’u duhet të presin edhe një vit tjetër për të admiruar “Velierën” në formën e saj të plotë, pasi punimet e fazës së katërt të projektit janë parashikuar të zgjasin një vit kalendarik.

Përveç faktit se është një nga investimet publike me vlerën më të lartë, “Veliera” është njëherazi projekti më i zvarritur në kohë. E nisur në fund të vitit 2016, ajo pritet të marrë formën e saj përfundimtare vitin e ardhshëm, ç’ka nënkupton 7 vite për t’u ndërtuar. Proceset gjyqësore të Shoqërisë Civile, por edhe shtesa e kontratës për shkak të punimeve të pa parashikuara në projektin fillestar, bënë që realizimi i “Velierës” të kërkonte shumë më tepër kohë.

Anulimi i tenderit dhe tenderi i ri

Pasi bashkia e Durrësit anuloi në muajin nëntor tenderin për “Fazën e katërt të sheshit publik para hyrjes së portit Durrës, Veliera”, me arsyen se “dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme”, e rihapi sërish tenderin vetëm pak ditë më vonë.

Nga 4 kompanitë që morën pjesë në garë, u shpall fituese kompania INERTI, e cila ofroi vlerën më të ulët për realizimin e punimeve.

188.429.858 lekë pa TVSH ofroi kompania INERTI për fazën e katërt të punimeve te “Veliera”, ndërkohë që 3 kompanitë e tjera ofruan respektivisht:

SALILLARI   –  209.663.093 lekë

AGI KONS  – 225.368.966 lekë

EVEREST  – 245.414.212 lekë

Vlen të theksohet fakti se kompania Everest shpk ka realizuar dy fazat e mëparshme të punimeve tek Veliera dhe siç duket edhe nga oferta, ajo ka paraqitur vlerën më të lartë.

Ndryshe nga tenderi i zhvilluar në maj 2020, kur bashkia Durrës zgjodhi këtë kompani me procedurën me negocim pa shpallje paraprake për të realizuar shtesën e kontratës të punimeve te “Veliera”, në vlerën 850 milionë lekë të vjetra, në tenderin e mbajtur në fund të dhjetorit 2021 procedura ishte e hapur.

Në preventivin e fazës së katërt të punimeve tek “Veliera”, faksimilen e të cilit “DurrësLajm” po e publikon në fund të këtij shkrimi, specifikohen zërat e punimeve që do të realizohen për veshjen metalike prej çeliku të Velës.

Veliera u projektua nga arkitekti italian Marco Casamonti si një shesh i ri publik përballë Kullës Veneciane dhe hyrjes së portit të Durrësit, me një sipërfaqe 12 mijë metra katrorë, ndërkohë që projekti parashikonte edhe ndërtimin e një nënkalimi për automjetet, i parashikuar të zgjidhte problemin e trafikut të rënduar në këtë zonë. Në momentin e prezantimit të projektit, bashkia Durrës njoftonte se “Veliera” do të kushtonte rreth 6 milionë dollarë, por me paratë që kërkon realizimi i fazës së katërt të saj kjo shumë është kaluar, sepse me kursin aktual të këmbimit valutor, projekti do të kushtojë mbi 6.6 milionë dollarë deri në finalizimin e tij.

“Veliera” gjatë fushatës zgjedhore

Projekti “Veliera” ishte ndër pikat kryesore të programit elektoral të dy kandidatëve të opozitës në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

Kandidati i PD Luan Hoti propozoi dëgjesa publike për këtë projekt, që sipas tij vazhdonte të rrëmbente para të tatimpaguesve durrsakë, ndërsa kandidati i “Shtëpisë së lirisë”, Ardian Muka, i cili ka qenë një nga anëtarët e Shoqërisë Civile që protestuan për muaj me radhë gjatë nisjes së punimeve, propozoi spostimin e saj në Spitallë, atje ku qeveria po ndërton Eco Parkun dhe lagjen e re për të pastrehët e tërmetit.

Ndërkohë, kandidatja e PS-së, Emiriana Sako, e evitoi përmendjen e Velierës mes investimeve të rëndësishme që qeveria Rama po realizon apo planifikon të realizojë në Durrës. Në asnjë moment, “Veliera” nuk u rendit mes projekteve si Eco Parku, porti turistik, porti i mallrave, projekti i amfiteatrit apo ai i parkut arkeologjik.

“Veliera” nuk ka qenë as pjesë e turit të inspektimeve që kryeministri Rama zhvillon herë pas here në Durrës për të parë nga afër ecurinë e punimeve në investimet publike në qytetin bregdetar.

“Projekti “Veliera” do të tërheqë mijëra turistë, pasi do të jetë një objekt origjinal e i vizitueshëm që do t’i japë Durrësit një imazh të vërtetë të një qyteti turistik”,- njoftonte bashkia më 22 prill 2016.

Deri më tani, duket se “Veliera” ka dështuar në funksionin e saj.

M.B.