Në Ditën Botërore të Shëndetit, Klubi Rotarian Durrës, në bashkëpunim me bashkinë, startoi një nismë që do të shtrihet në të gjitha shkollat e qytetit.

Nisma “Fëmijë të shëndetshëm” konsiston në evidentimin e fëmijëve të moshës 12-13 vjeç, që kanë nisur të shfaqin shenjat e para të skoliozës. Stacioni i parë ishte shkolla artistike “Jan Kukuzeli”, ku ekipi mjekësor, me në krye fizioterapistin Faton Daci, njëherazi anëtar i Klubit Rotarian Durrës, nisi ekzaminimet “screening” të nevojshme tek fëmijët e klasave IV -V.    

Presidenti i Klubit Rotarian, Adil Beqiraj, deklaroi për “DurrësLajm” se iniciativa u propozua nga mjeku Daci dhe u përkrah nga të gjithë anëtarët. Sipas Beqirajt, ky projekt do të ketë një kohështrirje të gjatë dhe synon t’u vijë në ndihmë të gjithë fëmijëve, që në moshë të mitur kanë nisur të shfaqin devijimet dhe deformimet e para të shtyllës kurrizore.

Fizioterapisti Faton Daci, nisur dhe nga eksperienca përgjatë viteve në ushtrimin e profesionit, nënvizoi se gjithnjë e më shumë ka nisur të rritet numri i fëmijëve të moshës 15-16 vjeç, që paraqiten tek mjekët specialistë me deformime të shpatullës, shpinës etj, si pasojë e mungesës së aktivitetit fizik dhe përdorimit për orë e orë të tëra të teknologjisë.

Daci deklaroi se pas evidentimit të fëmijëve të prekur nga skolioza, hapi i mëtejshëm do të jetë trajtimi mjekësor i këtyre fëmijëve në kabinetin e fizioterapisë në UAMD dhe për rastet më të rënda do të procedohet në klinika të specializuara.

Anëtari i Klubit Rotarian Artion Beqiraj, theksoi se të gjitha të dhënat që do të mblidhen nga ekzaminimet e fëmijëve do të skedulohen në formularë të posaçëm të hartuar nga mjekët fizioterapistë dhe më pas do të shikohet si do të ndiqen klinikisht.

“Volumi i ekzaminimeve është i madh, pasi në çdo shkollë ka 2-3 klasa të katërta dhe të pesta. Ne sot e startojmë nga shkolla “Jan Kukuzeli” për t’u shtrirë më pas në të gjitha shkollat e tjera”,– tha Artion Beqiraj.

Shumica e rasteve me skoliozë në moshë të mitur përmirësohen me program të personalizuar ushtrimesh, që mund të realizohen në shtëpi. Pikërisht për këtë arsye, evidentimi i shfaqjes së sëmundjes që në fillim dhe trajtimi i menjëhershëm i saj është shumë i rëndësishëm.

M.B.