Profesioni i mësuesit është ndër profesionet më fisnike, sepse ka të bëjë drejtpërdrejt me edukimin e brezit të ri, me formimin e tij, me shkallën e arsimit dhe me zhvillimin e vendit. Amelika Dollaku i ka kushtuar një jetë të tërë arsimit dhe ka nxjerrë me dhjetëra breza. Ndërsa shpreh keqardhjen për degradimin e sistemit arsimor në këto vite thekson se pasojat do t’i ndiejmë ndoshta një apo dy dekada më vonë. E angazhuar prej shumë vitesh në politikë ajo nënvizon se nëse konfigurimi i parlamentit të sotëm do të ishte i ndryshëm nga ky i tanishmi, nëse në politikë do të ishin përfshirë më tepër femra, domosdo që politika shqiptare do ishte më tolerante, nuk do të përdorte gjuhën e konfliktualitetit.
Prej disa dekadash ju i jeni përkushtuar mësimdhënies, qoftë si mësuese e thjeshtë, qoftë si drejtoreshë shkolle. Çfarë kujtoni nga ajo periudhë?
Arsimi është i vështirë, sepse nuk ke të bësh me hekura apo me sende, por me njerëz, aq më tepër me të rinj që kanë nevojë për formim e edukim. Duhet të dish të gjesh gjuhën e komunikimit me secilin nxënës, sepse kanë karaktere dhe temperamente të ndryshme. Gjithsesi, do thoja se nëse ke vullnet dhe e dashuron profesionin i kalon vështirësitë. Ato i kalon sidomos në fillim, kur të duhet kohë të integrohesh në proçesin mësimor, të mësosh gjuhën e profesionit. Një vështirësi tjetër është puna me nxënësit problematikë, për të cilët duhet të gjesh çelësin që t’u hysh në shpirt.
Ju keni dhënë mësim në të dy sistemet. Cila është ecuria e mësimdhënies nëse do bënim krahasim mes dy periudhave?
Në ato vite të regjimit të kaluar shkolla mbështetej mbi parimin e trekëndëshit revolucionar: mësim, punë, kalitje. Ishte tej mase e politizuar, por rregulli, disiplina ka qenë në nivelin e duhur. Nëse diçka ka pasur vlerë gjatë periudhës së komunizmit ajo ka qenë shkolla, por ama dua të theksoj se atëherë mësuesi nuk ishte i lirë. Megjithëse tani ka shpeshherë debate përsa i përket teksteve alternative, nuk mund të mohohet fakti që mësuesi është i lirë si përsa i përket përdorimit të metodave të ndryshme edhe përsa i përket mënyrës së komunikimit me nxënësit. Mësuesi dhe nxënësi shihen tani si bashkëpunëtorë që kanë një qëllim të përbashkët në fushën e arsimit.
Nëse ka në këto vite një gjë që po e dëmton sistemin arsimor është korrupsioni. Për mua është e pa konceptueshme një gjë e tillë. Mësuesi duhet të jetë model për nxënësin. Më vjen keq për degradimin që po pëson sistemi arsimor dhe them se kjo gjë do bëhet më e ndjeshme vitet e ardhshme. Nëse një objekt e sheh që e ke bërë keq dhe e ndreq, kur e prodhon për herë të dytë, në arsim nuk mund të ndreqet ajo që bëhet gabim. Zhvillimi i një kombi varet shumë nga shkalla e arsimimit të shtetasve të tij. Duhet që arsimtarët të luajnë një rol thelbësor në këtë drejtim.
A ju është dashur të bëni sakrifica për profesionin të cilit i jeni përkushtuar?
Jo, edhe nëse kam bërë sakrifica nuk kanë qenë të mëdha. Bashkëshorti im më ka ndihmuar gjithnjë dhe ka qenë gjithnjë i angazhuar të kryejë detyrimet që ka gjithsecili në familje. Në të njëjtën kohë edhe prindërit e mi më kanë ndihmuar në këtë drejtim.
Përveç profesionit të mësimdhënies ju jeni angazhuar edhe politikisht. Ç’mund të na thoni për këtë eksperiencë?
Ndonjëherë përfshihesh në politikë pa dashje. Politika më tërhoqi mua, jo se hyra unë vetë. Pas ndryshimit të sistemit secili do pozicionohej nga njëri apo tjetri krah. Unë jam përndjekur prej politikës, sepse pa pasur asnjë shkak më hoqën nga shkolla ku jepja mësim dhe më dërguan në komunën e Katundit të Ri, gjë që më vrau shumë. Gjithsesi unë dua të theksoj këtu se ajo eksperiencë ishte mjaft e bukur dhe përmes gazetës suaj dua t’i them popullit të asaj zone se jam larguar me mbresa shumë të mëdha nga aty dhe me keqardhje.
Meqë jeni angazhuar prej vitesh në politikë a mendoni se është e lehtë për femrat që të afirmohen në këtë fushë?
Jo, nuk do të thoja se është mjaft e lehtë. Ka xhelozi edhe nga vetë femrat, edhe pse nuk shprehet. Femrat duhet të luftojnë shumë për të bërë emër në politikë. Duhet të marrin mbi vete angazhime politike. Përderisa femra menaxhon mirë një familje, menaxhon bukur dhe shoqërinë. Është më tolerante, më e butë. Nëse do të zbatohej vërtet ai 30% i famshëm, në të gjithë spektrin politik, edhe parlamenti do të ishte më i ndryshëm nga ky i tanishmi, komunikimi do ishte më i mirë. Gjithsesi, shoqëria jonë është emancipuar dhe femrat e kanë më të lehtë tani të përfshihen në politikë. Por kjo vlen për gratë e qytetit, sepse në fshat situata duket se ka ndryshuar pak. Tek forumi i gruas socialiste në Durrës, të pakta janë femrat pjesëmarrëse nga zonat rurale. Ka ende konservatorizëm atje.
A ka skepticizëm nga ana e meshkujve përsa i përket përfshirjes së femrave në politikë?
Unë kam një rreth shoqëror të emancipuar dhe nuk e kam ndjerë këtë, por gjithsesi mund të them se ekziston në shoqërinë tonë.
Çfarë duhet të bëjnë femrat sipas jush për t’u afirmuar në sfera të ndryshme të jetës apo në profesionin ku ato duan të bëjnë karrierë?
Do të thoja që femra duhet të jetë këmbëngulëse, e vendosur, e ndershme dhe të ketë vlera. Nëse i ka këto cilësi nuk duhet të trembet. Femrat mund të jenë më të afta edhe se dhjetë burra të marrë së bashku.