Në mbarë botën u festua dhe u mirëprit Viti i Ri 2013. Të gjithë shqiptarët mirëpritën këtë vit të ri. Agjencia e Lajmeve Durrës uron të gjithë lexuesit e saj Gëzuar 2013.

Fishekzjarrët ndriçuan qiellin mbi dhjetëra qytete për të festuar ardhjen e vitit të ri 2013, duke përfshirë festimet në Tiranë, Durrës, Prishtinë, Shkup, Preshevë dhe qytetet e vendbanimet tjera në trevat shqiptare dhe diasporë. 

Dubai, shënoi vitin e ri me një shfaqje dritash në ndërtesën më të lartë në botë, ndërsa në Itali, Papa Benedikti vizitoi skenën e lindjes së Krishtit në Sheshin e Shën Pjetrit.

Vendet aziatike ishin të parët që lajmëruan ardhjen e vitit të ri me fishekzjarrë të shumta në Sydney dhe Hong Kong.

Qyteti më i madh i Birmanisë, Rangoon, organizoi një mbrëmje të madhe të Vitit të Ri për herë të parë, ndërsa vendi del nga një diktaturë e gjatë disa dekadash ushtarake, i cila zakonisht ndalonte tubime të mëdha publike.

Në Filipinet jugore, gëzimet festive u zbehën nga pasojat e një tajfuni që vrau më shumë se 1.000 njerëz në fillim të dhjetorit.

Dhe në Indi, shumë hotele dhe bare pakësuan veprimtaritë ose i anuluan mbrëmjet e Vitit të Ri nga respekti për një grua të re, e cila vdiq të shtunën pas përdhunimit nga një bandë gangsterësh në Nju Delhi – incident brutal që ka tronditur mbarë Indinë.