Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Ylber Ramadani është transferuar te Lecce në Serie A.

27-vjeçari mbylli aventurën në Skoci me Aberdeen dhe ka firmosur kontratën e re me klubin italian për tri sezone, me të drejtë rinovimi dhe për një tjetër vit, nga e cila do të përfitojë rreth 500 mijë euro në sezon.

Ramadani kaloi testet mjekësore dhe do të bashkohet menjëherë me ekipin e ri, ku do të gjej Kastriot Dermakun, me të cilin kanë luajtur së bashku në kombëtare.

Klubi italian ka paguar 1.2 milionë euro për kartonin e Ramadanit, ndërsa 10% e kartonit do të mbetet në pronësinë e skocezëve.

Mesfushori i talentuar hedh hapin më të rëndësishëm në karrierë, teksa në të shkuarën ka qenë pjesë e Partizanit në Superiore, Vejles në Danimarkë, MTK në Hungari dhe Aberdeen në Skoci.

27-vjeçari është pjesë e kombëtares nga viti 2017 dhe ka grumbulluar 27 ndeshje zyrtare dhe një gol.