Televizori i Enverit prishej shpesh, pasi Nexhmia kishte një vëlla që i fuste duart në të. Ai bënte sikur po riparonte diçka, bënte prova, por duke mos qenë i zoti të adaptonte ato që mendonte, e prishte. Ishte person me probleme. Arrestimet e drejtorit, kryeinxhinierit dhe përgjegjësit të garancisë erdhën pas vendosjes së grupit të kanaleve të huaja në televizorin e Rita Markos

Në intervistën e tij për “Dyrrah”, përgjegjësi i garancisë në atë kohë në URT, Agim Fishta rrëfen për incidentin e patëkeq, por që u kthye në një bumerang për drejtuesit e uzinës. Një grup kanalesh UHF, që iu vendosën televizorit të Rita Markos dhe Iliaz Rekës, i kushtuan vendin e punës dhe disa vite burg drejtorit të uzinës, Petro Papa dhe kryeinxhinierit, Dhimitër Vrahoriti. Megjithëse ishte ndërmarrje me rezultate të larta, gabime të tilla nuk toleroheshin në asnjë mënyrë nga udhëheqja e kohës. Gjatë rrëfimit të tij, Fishta tregon detaje edhe nga vizitat e tij në shtëpinë e Enver Hoxhës, në ish Bllok, kur shkonte t’i rregullonte televizorin e prishur.

Si ndodhi që drejtuesit e uzinës së Radio Televizorit në Durrës u arrestuan dhe u dënuan?

Uzina kishte kontratë të rregullt për të marrë pjesë elektronike për radio dhe televizorë në Jugosllavi. Prodhimet e Nishit ishin cilësore. Uzina e tyre kishte teknologji shumë të përparuar dhe për këtë arsye ne furnizimin bazë e merrnim nga andej. Gjatë njërit prej furnizimeve tona, uzina në Nish na dha edhe 30 kanale UHF. Këto grupe kanalesh na erdhën falas, si dhuratë, pa asnjë detyrim financiar për palën shqiptare. Madje malli erdhi pa asnjë lloj dokumenti. Marrëdhëniet tona me uzinën e ish-Jugosllavisë në Nish ishin shumë korrekte, ndonëse politikisht vendi ynë i pati ftohur deri në ngrirje marrëdhëniet diplomatike. Ne si uzinë kishim interes të gjenim pika jashtë vendit për t’u furnizuar dhe më pas për të prodhuar televizorë e radio. Drejtori i uzinës sonë ishte Petro Papa, kryeinxhinier ishte Dhimitër Vrahoriti, kurse unë përgjegjës garancie. Këto grupe kanale UHF jepeshin vetëm me autorizim të drejtorit. Meqë kishin mbetur aty, në magazinë, Petro Papa, drejtori, urdhëroi që një grup t’ia dërgonim Rita Maros. Ashtu edhe ndodhi.

Kryeinxhinieri caktoi personat që do të shkonin për të montuar grupin. Një të tillë grup mbaj mend se ia dhanë edhe Iliaz Rekës, që ishte kryetar i komitetit ekzekutiv, në Durrës. Por shkak për arrestimin tim, të drejtorit Papa dhe kryeinxhinierit Vrahoriti qe vendosja e grupit të kanaleve Rita Markos. Ky veprim kishte rënë në vesh të Enver Hoxhës. Nuk vonoi dhe kjo çështje nisi të flitej si skandal i rëndë e me pasoja. Filluan analizat, diskutimet, mbledhjet me orë të tëra. Erdhën nga komiteti qëndror. Gjërat u bënë shumë problem. Prokuroria në Durrës nisi hetimet. Të tre ne u pushuam nga puna. Vendosja e grupeve të kanaleve ishte e ndaluar dhe për këtë arsye Papa nuk ua shpërndau ato grupe njerëzve të thjeshtë. Por kjo nuk kishte më rëndësi. Grupet merrnin shumë stacione të huaja në një kohë që nuk e kishim për detyrë të vendosnin vetëm Tiranën në valë. Ishte viti 1975. Nisën hetimet dhe gjyqet.

Në prokurori u paraqita disa herë. Ata më pyesnin nëse unë kisha bërë ndonjë pisllëk duke shitur llampa e gjëra të tjera. Pasi u bindën, mua më dënuan duke më kaluar nga përgjegjës garancie në pozicionin e teknikut të linjës. Por kështu nuk ndodhi me drejtorin dhe kryeinxhinierin. Ata u dënuan me burg vetëm pse vendosën grup kanali tek Rita Marko. Marko vinte herë pas herë në uzinë pasi i kishin ngarkuar si detyrë ndjekjen e ecurisë së prodhimit të radiove dhe televizorëve. Dua të theksoj se asgjë se bëmë me qëllim të keq. Thjesht grupet erdhën falas dhe nuk u jepeshin çdokujt. Drejtori Petro Papa dhe kryeinxhinieri ishin njerëz të mirë dhe shumë të dhënë pas punës. As që u kishte shkuar në mend se veprimi do të klasifikohej si skandal e do u “hante kokën” në atë mënyrë. Ne kemi qenë tek të gjithë udhëheqësit e kohës për të riparuar radiot apo televizorët. Edhe tek Mehmet Shehu e Enver Hoxha.

Të kujtohet ndonjë episod teksa ke shkuar për të riparuar televizorin e Enver Hoxhës?

Përgjithësisht tek Enver Hoxha shkonte për të riparuar televizorin Lulzim Topçiu. Por edhe unë kam pasur raste. Televizori i Enverit prishej shpesh. Nexhmia, gruaja e Enver Hoxhës, kishte një vëlla që fuste duart në televizor. Ai bënte sikur po riparonte diçka, bënte prova. Ishte person me probleme. Këtë na e thoshin sa herë që shkonim në shtëpinë e tyre tek ish Blloku. Nuk më kujtohet tani emri i të vëllait të Nexhmies, por di që manifestonte veprime të dhunshme. Duke mos qenë i zoti të adaptonte ato që mendonte, e prishte. Televizori ishte prodhim i uzinës sonë. E kishim të lehtë riparimin. Urdhrin për të shkuar tek udhëheqësit na e jepte përgjithësisht drejtori, por edhe sekretari i partisë. Edhe ai u dënua për atë problemin e Rita Markos. Përgjithësisht për riparim shkonim vetëm, jo dy apo tre teknikë. Merrnim në çantë çdo pjesë për riparim dhe çdo gjë tjetër që na duhej. Çantën na e kontrollonin me imtësi dhe gjatë gjithë kohës që punonim na rrinin tek koka pa lëvizur. Pasi mbaroja punë pija ndonjë kafe apo merrja diçka tjetër për qerasje dhe ikja.

Hungaria ka qenë një ndër vendet ku ju merrnit pjesë për të prodhuar radio e televizorë. Ishin prodhime më cilësore se në vendet e tjera apo kishte ndonjë orientim të veçantë?

Fillimisht pjesët i merrnim në Nish të ish Jugosllavisë. Ato ishin të mira pasi teknologjia qe perëndimore. Më pas Hungaria u bë importuesi më i madh i këtyre pjesëve për uzinën tonë. Orientimi pse merrnim në Hungari ishte i qartë. Në bazë të marrëveshjes mes vendeve ne dërgonim në Hungari domate, speca, tranguj dhe ndonjë zarzavat tjetër. Me paratë që grumbulloheshin nga shitja e zarzavateve, bliheshin pjesët për prodhimin e radiove dhe të televizorëve. Shteti ishte ndërmjetës. Ne vetëm na thonin se “kaq e aq domate e speca kemi dërguar, këtë e atë material sollëm për uzinën”. Kjo qe arsyeja që interesoheshim se sa zarzavate importoheshin për tregun hungarez, kur niseshin maunet, kur ktheheshin. Këto e të tjera detaje na interesonin pasi prej tyre varej puna jonë, ecuria e prodhimeve.

Kështu vazhdoi disa vite. Pas vitit 1968, kohë që u prodhua televizori i parë në uzinën e Durrësit, shteti shtoi fondet, por ishin të pamjaftueshme. Me ato llampa, rezistenca e pjesë të tjera që vinin duhet të punonim. Tregonim kujdes që të mos dëmtohej asgjë, që të mos keqpërdorej asnjë llampë. Inventari ishte shumë i rreptë dhe në këtë drejtim mendjen e kishim të fjetur. Vite më pas pjesët vinin edhe nga vende të tjera. Unë kam shkuar vet në Bukuresht. Ishim shtatë vetë. Mes nesh ishte edhe Vladimir Shehu, djali i Mehmet Shehut. Uzina qe shumë e madhe, me 2000 punëtorë. Qëndruam një muaj për të marrë eksperiencë. Nga atje morëm një televizor dhe të tillë bëmë rreth 2500 copë në Durrës. Ne e emërtuam “Adriatiku” televizorin e prodhuar nga ne. Edhe në Budapest të Hungarisë shkuam për eksperiencë.

Ju e keni njohur nga afër Vladimir Shehun, djalin e kryeministrit shqiptar?

Po, e kam njohur pasi kam punuar disa vite me Vladimirin. Ishte inxhinier shumë i zoti. Bashkë me Bashkim Koplikun, Adrian Qereshnikun e Dhimitër Vrahoritin bënë që uzina të realizonte prodhime shumë cilësore. Vladimiri ishte korrekt, i sinqertë. Skuqej kur fliste. Gëzonte respekt tek të gjithë. Vinte çdo ditë në orën 6.40, rreshtohej me të gjithë ne dhe bënte gjimnastikën e mëngjesit. Asnjëherë nuk ka kërkuar privilegjin më të vogël. Kishte shumë sedër. Fliste pak dhe me shumë vend. Ngjarja me të atin e tronditi shumë thellë. U mbyll në vetvete. Pasi e hoqën nga uzina jonë, Ladin e dërguan në Gramsh, atje ku edhe kreu vetvrasjen. Nuk ka njeri në Durrës që të ketë punuar me të dhe të jetë larguar pa mbresat më të mira për inxhinierin. Ne e donim të gjithë. Kishim vite përvojë, por mendimet e Vladimirit, të Bashkim Koplikut dhe të Lulzim Topçiut ishin tepër të nevojshme. Ata mbollën harmoninë në punë. Komunikonin shumë mirë mes tyre dhe me ne.

Riparime bënit edhe në shtëpitë e qytetarëve. Merrnin rryshfet teknikët për punën?

Ne shkonim gjithandej: në Durrës, Shijak, Kavajë. Kishte shumë kërkesa për riparime. Në Durrës ishin hapur dy pika ku teknikët riparonin radio e televizorë. Por ngaqë ne njiheshim si specialistë të zotë njerëzit pëlqenin ta shikonim ne, të uzinës. Pasi mësonim se ç’kishte pësuar porosisnim që i zoti i radios apo televizorit të shkonte në dyqan e të blinte pjesën për këmbim. Neve as që na shkonte mendja për të marrë gjë nga uzina. Nuk e provonte njeri se ishte gjë me shumë zarar. S’bëhej fjalë largimi nga puna, por burgu e priste atë që zgjaste dorën në magazinën e uzinës. Kështu që riparimet i bënim me ato pjesë që bliheshin. Mbaronim punë dhe kaq. Të paktën unë nuk kam marrë ndonjëherë lekë për shërbimin që u kam bërë njerëzve. Edhe kjo ishte e ndaluar. Mjaftoheshim me ato qerasjet e rastit. Pinim ndonjë kafe a gotë raki dhe kaq. Ndodhte që ndokush të mos kundërshtonte ndonjë lek që ia fusnin si pa dashje në xhep apo në dorë. Uzina kishte marrë emër shumë të mirë dhe malli ynë ecte shumë në treg. Radiot jepeshin pa autorizim, kurse televizorët vetëm me autorizim.