Presidenti amerikan Joe Biden iu drejtua kombit me një fjalim lamtumire përpara largimit nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar. Nga Zyra Ovale, Biden paralajmëroi se një oligarki me pasuri, fuqi dhe ndikim ekstrem po merr formë në Amerikë, çka përbën kërcënim për demokracinë, nëse pushteti i saj lihet i pakontrolluar.
“Jam i shqetësuar për rënien e rrezikshme të pushtetit në duart e ca njerëzve ultra të pasur. Kjo nuk kërcënon vetëm demokracinë, por edhe të drejtat dhe liritë themelore, si dhe pritshmëritë se çdo njeri meriton një mundësi të barabartë. Jam po aq i shqetësuar për fuqizimin e sektorit teknologjiko-industrial që mund të paraqesë rreziqe të vërteta për vendin tonë,” – tha Biden.
Deklarata e Biden vjen pasi disa nga individët më të pasur në botë dhe më me ndikim në industrinë teknologjike janë rreshtuar përkrah presidentit të zgjedhur Trump. Inteligjenca Artificiale, tha Biden, do të jetë gjithashtu një sprovë e madhe për SHBA-të dhe gjithë botën.
“Inteligjenca Artificiale është teknologjia më domethënëse e kohës sonë, ndoshta e të gjitha kohërave. Asgjë nuk ofron më shumë mundësi dhe rreziqe të mëdha për ekonominë, sigurinë, shoqërinë tonë dhe për njerëzimin,” – shtoi ai.
Gjatë fjalimit, Biden foli edhe për marrëveshjen mes Izraelit dhe Hamasit, për të cilën tha se është sukses i administratës së tij, megjithëse u desh ndërhyrja e Trump që grupet e punës të arrinin rezultate konkrete.
“Pas tetë muajsh negociatash nga administrata ime, është arritur një marrëveshje, elementët e së cilës i shpalosa në maj të këtij viti. Ky plan u zhvillua dhe u negociua nga ekipi im dhe do të zbatohet kryesisht nga administrata e ardhshme. Kjo është arsyeja pse i thashë ekipit tim që të mbajë të informuar administratën e ardhshme. Sepse kështu duhet të jetë: të punojmë së bashku si amerikanë,” – tha Biden.
Ky fjalim i Biden shënon jo vetëm fundin e presidencës së tij, por edhe pesë dekadat e tij në politikë.