Një aksident i frikshëm ka ndodhur në nisje të garës për Çmimin e Madh të Britanisë, në pistën e Silverstone, me pilotin e Alfa Romeo, Zhou Guanyu që rrezikoi jetën ditën e diel. Në aksident u përfshinë Yuki Tsunoda, George Russel dhe Zhou Russell, por me Zhou që përfundoi më keq.

Pas një përplasje nga Russell, piloti i Alfa Rome doli me makinë të përmbysur jashtë mureve mbrojtëse, me garën që u ndërpre menjëherë. Zhou mori ndihmën e menjëhershme mjekësore dhe më pas u dërgua në spital, nga ku u theksua se është në gjendje të mirë, lajmërim që më pas bëri që gara të riniste.

Mrekulli mund të konsiderohet shpëtimi i kinezit pa dëmtime të rënda pas një aksidenti të tillë ose siç u theksua nga ekspertët, ishte “Halo”, pajisja e sigurisë e fiksuar në kabinë e prezantuar në Formula 1 dhe Formula 2 në 2018 që i shpëtoi jetën pilotit, përndryshe dita e djeshme mund të kishte rezultuar fatale.

Pas këtij aksidenti duke folur për mediet, piloti kinez u shpreh: “’Halo’ më shpëtoi. Ishte një aksident i rëndë dhe më vjen mirë që jam mirë”. Sipas raportimeve të medieve britanike, Guanyu do të kthehet në pistë të premten (8 korrik), në seancën e parë të stërvitjes së lirë (13:30) dhe kualifikuese (17:00) në Spielberg.