Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka reaguar pasi iu anulua interpelanca në Parlament lidhur me fondet e vjedhura të BE.
Kapri ka publikuar emra përfituesish të fondeve të Bashkimit Europian që, sipas tij, duhet të kthehen mbrapsht.
“Sapo përmendim fakte dhe emra, na mbyllet mikrofoni në Parlament. Nuk duan të japin llogari. Por atë që nuk më lejuan ta thoja aty, po jua tregoj tani”, shprehet Kapri.
Bashkimi Europian kërkon kthimin e 33 milionë eurove nga fondet IPARD, të destinuara për fermerët shqiptarë.
“Këta janë disa prej atyre përfituesve me lidhje politike që duhet të kthejnë paratë e fermerëve shqiptarë, që në fakt shkuan për ndërtime”, u shpreh ai.
Kapri përmendi disa emra konkretë, mes tyre Elvis Roshi, për të cilin tha se ka përfituar 250 mijë euro nga fondet bujqësore, të cilat sipas tij janë përdorur për ndërtim hoteli.
“Elvis Roshi, ish kryetari i Bashkisë së Kavajës ka marrë 250 mijë euro nga fondet e fermerëve që duhet të shkonin për sera e mekanikë bujqësore por në fakt shkuan për ndërtim hoteli.
Agim Kola, vëllain i ishte deputetit të PS, përfitues në dhjetëra miliona eurove në tendera rrugës, ka marrë 810 mijë euro.
Ardian Tafa, ish zyrtar i Erion Veliaj, ka marrë 410 mijë euro.
Ndërtuesi Gjikuria, gjithashtu përfitues tenderash publike, ka marrë 204 mijë euro për restaurim vilash
Ndërsa Mbreti i përfituesve është Fredi Koroneshi, ish kryetar bashkinë në Divjakë, që ka marrë 44 mijë euro për gruan dhe 32 mijë euro për nipin”, denoncon Kapri.
“Këta janë disa prej 76 përfituesve të fondeve të BE që duhet të shkonin për fermerët. Këta përfitues duhet t’i kthejnë mbrapsht. Për këtë arsye mbi 190 milionë euro për fermerët shqiptarë vijojnë të jenë të bllokuara në Bruksel”, shprehet deputeti Kapri.





