Maks Vershtapen mund të largohet në fund të këtij sezoni nga Red Bull dhe tashmë këtë e ka bërë të qartë edhe shefi i kësaj skuadre, Kristian Horner. Ky i fundit, pasi kaloi furtunën e akuzave për ngacmime seksuale, duket se nuk ka duruar gjatë kërcënimet publike të babait të pilotit të tij, Jos Vershtapen, i cili mendonte se Horner po shkatërronte ekipin dhe i biri duhej të largohej nga ky ekip. Pas fitores në Çmimin e Madh të Arabisë Saudite, Horner është shprehur i qartë se Vershtapen mund të largohej nëse dëshironte në fund të sezonit. Kjo situatë padyshim do të bënte të lumtur Mercedes që e pret krahëhapur pas largimit të Hemilton drejt Ferrarit, e mund të bënte më pak të sigurt dominimin e Red Bull në edicionet në vijim.

“Nuk mund të detyrosh dikë që të jetë diku vetëm për shkak të një copë letre. Nëse dikush nuk dëshiron të jetë pjesë e kësaj skuadre, atëherë duhet ta dini që ne nuk do të detyrojmë askënd të qëndrojë kundër dëshirës këtu. Kjo vlen qoftë për një operator makinerie, një dizajner apo dikë në funksione mbështetëse, apo ato që merren ne anën ë biznesit. Të përfshihesh në një skuadër të tillë kërkon përkushtim dhe pasion. Dhe Maks e ka, ne e kemi parë. Ai ka qenë këtu që kur ishte 18-vjeçar dhe unë nuk kam dyshime për përkushtimin dhe pasionin e tij. Por asnjë individ nuk është më i madh se skuadra.

Ne kemi një makinë fenomenale. Ne kemi një vend bosh për vitin tjetër. Unë me shumë mundësi kam gati 16 pilotë të dëshpëruar që të jenë në atë makinë në vitin tjetër. Jam i sigurt që çdo skuadër do të dëshironte të kishte Maks, por si e tha Toto Volf (shefi i Mercedes), pilotët më të mirë gjithmonë duan të jenë në makinat më të mira”, ishte mesazhi i qartë i tij se Vershtapen mund të largohej, por do të sakrifikonte sukseset që po regjistron tani nëse shkonte në një ekip tjetër.