Gjatë punimeve të rinovimit në një fushë futbolli në Vjenë tetorin e kaluar, u zbulua një varr masiv me skelete që besohet se u përkisnin luftëtarëve të Perandorisë Romake nga shekulli I pas Krishtit. Hulumtimet e mëvonshme arkeologjike kanë dhënë dëshmi të një beteje të dhunshme, me gjasë që përfshin fise gjermane, duke shënuar konfliktin e parë të njohur në zonë.
Varri masiv ndodhet në lagjen Simmering të Vjenës dhe përmban eshtrat e të paktën 129 personave. Drejtuesja e gërmimit arkeologjik, Michaela Binder tha se ka fusha të mëdha beteje në Gjermani ku janë gjetur armë por për herë të parë ata kanë gjetur kaq shumë të vdekur nga koha romake.
Ushtarët në Perandorinë Romake digjeshin në mënyrë rutinore deri në shekullin e 3-të. Gropa ku janë depozituar trupat në këtë rast sugjeron një asgjësim të nxituar ose të çorganizuar të tyre. Çdo skelet i ekzaminuar kishte shenja lëndimi – veçanërisht në kokë, gjoks dhe legen.
Viktimat ishin të gjithë meshkuj. Shumica ishin në të 20-at deri në të 30-at dhe në përgjithësi shfaqnin shenja të shëndetit të mirë të dhëmbëve. Analiza e karbonit-14 ndihmoi në datimin e eshtrave midis viteve 80 dhe 130 të erës sonë, një vlerësim që përputhej me moshën e sendeve të gjetura në varr, të tilla si pjesët e armaturës dhe helmetat, si dhe gozhdat e përdorura nga romakët në tiparet e tyre ushtarake.
Vetëm një viktimë është konfirmuar si një luftëtar romak dhe arkeologët po vazhdojnë kërkimet, duke shpresuar se analiza e izotopit të ADN-së qw do të ndihmojë në identifikimin e mëtejshëm të luftëtarëve.
“Teoria më e mundshme për momentin është se varri është i lidhur me luftrat e perandorit Domitian në Danub nga viti 86 deri në vitin 96 pas Krishtit,” tha eksperti Adler-Wölfl. Arkeologët thanë se gjetja zbulon gjithashtu shenjat e para të themelimit të një vendbanimi, i cili do të bëhej kryeqyteti i sotëm austriak.