Kryetari i FRD-së, Bamir Topi prezantoi gjatë javës së kaluar drejtuesit e 19 departamenteve që do të hartojnë programin për zgjedhjet. Në fjalën e tij përpara se të prezantohej ekipi i FRD-së, Bamir Topi kërkoi ndjesë në emër të drejtuesve të kësaj partie që nuk arritën të parandalonin marrjen peng të politikës dhe institucioneve.

“Kjo krenari dhe e vërtetë e madhe nuk na pengon që sot ne t’u kërkojmë qytetarëve ndjesë publike që nuk arritëm të bëjmë më shumë në ato vite për parandalimin e së keqes që ka marrë peng politikën, institucionet, ekonominë dhe jetën publike, siç jemi të ndërgjegjshëm se kjo na bën dyfish të angazhuar dhe të vendosur që sot, në kuadër të jetës dhe konkurrencës politike, të punojmë pa u lodhur, me energjitë dhe përvojën e fituar, për të rikthyer vlerat e demokracisë dhe aspiratat për të cilat hymë në politikë në fillim të viteve ‘90 dhe që sot janë jetike për bashkimin tonë të vonuar me Europën”,- u shpreh ish-kryetari i shtetit gjatë ceremonisë.

Ashtu siç kishte njoftuar edhe pak javë më parë, FRD-ja ka përzgjedhur ekipin që do të drejtojë fushat kryesore të programit të kësaj partie. Në listën e publikuar nga kryetari Bamir Topi bie në sy emri i ish-ambasadorit të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ish-zv.ministrit të Shëndetësisë, Aleksandër Sallabanda, i cili do të drejtojë Departamentin e Shëndetësisë; ish-sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Aleksandër Flloko, do të drejtojë Departamentin e Bujqësisë dhe Ushqimit, ndërsa ish zv.ministri i Punëve Publike, Stavri Ristani, do të udhëheqë Departamentin e Infrastrukturës, Rregullimit të Territorit dhe Transporteve.

“Ne refuzuam ofertat për komoditet personal të pushtetit dhe zgjodhëm të përballemi me të, si rruga më e mirë për të respektuar veten, mbështetësit, integritetin dhe bindjet tona politike”, u shpreh Topi në fjalën e tij.