TIRANE– Fryma e Re Demokratike shprehu sot qëndrimin e  saj në lidhje me respektimin e të drejtave në Shqipëri. Në 61 vjetorin e shpalljes së Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut FRD ngriti zërin për nëpërkëmbjen e dy prej të drejtave themelore: atë të jetës dhe të pronës.

“Rasti më i fundi i dhunës ekstreme ndaj femrës ku iu mor jeta një gruaje shtatzanë në Vlorë, tregon për përshkallëzimin e kërcënimit për jetën, e drejtë që qëndron në themel të Deklaratës Universale” – tha nënkryetarja e kësaj force politike, Valbona Duri.

“Numri më i madh i çështjeve që shteti shqiptar ka humbur në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, kanë të bëjnë me pronën. E prapë, vendimet ngelen të pa-zbatuara. Kjo përbën shkeljen e dytë flagrante në radhë, pikërisht mbi të drejtën e pronës” – nënvizoi Duri.

Në emër të FRD-së, zonja Duri solli në vëmendje edhe shkeljen e përsëritur të disa prej të drejtave të tjera që përcaktohen në 30 nenet e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, ratifikuar prej Shqipërisë qysh prej vitit 1995.

“Të gjithë jemi dëshmitarë se si shkelet e drejta për një sipërmarrje të lirë ekonomike, teksa  ende mungon konkurrenca e lirë dhe tregu është i monopolizuar në shumë aspekte, – tha Duri.- Po ashtu, abuzohet me të drejtën për informim dhe me atë për të pasur shërbim shëndetësor të aksesueshëm dhe të përballueshëm për të gjithë”

FRD konstaton se arsyet kryesore që cojnë në këto shkelje janë nepotizmi, militantizmi, korrupsioni, mungesa e profesionalizmit në stafet që punojnë në institucionet që garantojnë të drejtat, mungesa e përgjegjësie dhe vullnetit nga klasa politike, por edhe informimi jo i plotë  qytetar për të drejtat.