Janë mbyllur hetimet për Përparim Ademin, i akuzuar për vrasjen e motrave Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi në dhjetor të 2020.

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar edhe akt ekspertimin mbi gjendjen e tij mendore dhe ka rezultuar pa probleme.

Pritet që dosja në ngarkim të tij të dorëzohet në Gjykatën e Tiranës me akuzën e vrasjes ndaj dy ose më shume personave për shkak të marrëdhënieve familjare.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 31 Dhjetorit të vitit të kaluar, në zonën e Astirit, në banesën e motrave Metani e Bardhi.

Nga hetimet ka rezultuar se 59-vjeçari nuk pranonte ndarjen nga dy motrat me të cilat kishte një lidhje jashtëmartesore.

Përparim Ademi (Tela) ka shfaqur pendesë për krimin e rëndë teksa ka pohuar në polici se frekuentohej me të dyja motrat.

“Jam i martuar, por prej kohësh frekuentohem me dy motrat Kristinën dhe Zhanetën. Ato të dyja ishin të divorcuara. Kristina jetonte në Greqi dhe takoheshim rrallë ndërsa me Zhanetën kam qenë i lidhur. Ajo nisi të distancohej me mua dhe mesa kuptova kishte nisur lidhje me dikë tjetër. Shkova ta takoj t’i kërkoja llogari. Doja t’i kërcënoja, por të dyja më ofenduan dhe unë qëllova. Jam penduar për krimin”, ka deklaruar autori.