Aktori dhe regjisori legjendar Clint Eastwood duket se është tërhequr nga regjia aktive e filmave, sipas deklaratave të djalit të tij, Kyle Eastwood, duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm në historinë e kinemasë botërore.

Lajmi u bë i ditur gjatë një interviste të Kyle Eastwood për një media franceze, ku ai foli për marrëdhënien dhe bashkëpunimet me të atin gjatë viteve. Sipas tij, Clint Eastwood tashmë është tërhequr nga xhirimet aktive të filmave, ndonëse nuk ka ende një njoftim zyrtar nga vetë aktori apo nga studiot me të cilat ai ka punuar. “Kam shumë kujtime të bukura nga puna me të. Ai tani është në pension… pata shumë fat që kam punuar me të në disa filma”, u shpreh Kyle Eastwood gjatë intervistës.

Clint Eastwood, i cili mbushi së fundmi 96 vjeç, konsiderohet një nga figurat më ikonike të Hollywood-it. Ai u bë i njohur globalisht fillimisht përmes filmave western të Sergio Leone-s, përpara se të konsolidonte statusin e tij si yll i madh me rolin e inspektorit Harry Callahan në serinë “Dirty Harry”.

Më pas, ai ndërtoi një karrierë të suksesshme edhe si regjisor, duke sjellë filma të vlerësuar si Unforgiven, Mystic River, Million Dollar Baby, Gran Torino dhe American Sniper. Dy prej tyre, Unforgiven dhe Million Dollar Baby, u nderuan me çmimin Oscar për Filmin më të Mirë, ndërsa Eastwood vetë ka fituar dy Oscar për Regjinë më të Mirë.

Filmi i tij i fundit, drama gjyqësore Juror #2, me aktorë si Nicholas Hoult, Toni Collette, Kiefer Sutherland dhe J.K. Simmons, pritet të mbetet si projekti përmbyllës i një karriere që ka zgjatur mbi gjashtë dekada dhe ka lënë gjurmë të thella në historinë e kinemasë.