Nga Aleksandër Cangonja
Më 18 qershor 1914, gazeta kryesore italiane Corriere della Sera pasqyronte varrimin e kolonelit holandez Lodewijk Thomson, i cili u vra në Durrës gjatë luftimeve me rebelët e Shqipërisë së Mesme.
Varrimi i Thomsonit
Ora 23.
Pasdite e trishtë sot. Nuk besoj se kishte sot në Durrës njeri që të mos ishte thellësisht i prekur nga kalimi i trupit të kolonel Thomsonit, i cili u përcoll për në banesën e fundit.
Ajo që gjithsecili ndiente në zemër ishte pak nga ajo dhimbje që duhet të ketë therur oficerin trim në çastet e shkurtra të agonisë së tij: ajo se dha jetën e vet për të tjerët dhe jo për atdheun e tij të largët. Kush mbase e ka ndier më shumë se të gjithë kanë qenë Sovranët, të cilët, edhe pse të huaj vetë, i kanë bërë nderimet më të larta atij që vdiq për kauzën e tyre. Trupi, në fakt, që prej ditës së djeshme ishte strehuar në pallatin mbretëror dhe sot doli prej andej i shoqëruar nga Princi dhe nga Princesha e veshur me rroba zie. Princi vendosi mbi arkivol dekoratën më të lartë shqiptare, ndërsa Princesha një kurorë me qiparis dhe mirtë. Pasi u kthye në pallat, Sovrania, me sy të mbushur me lot, ndoqi nga dritarja nisjen e kortezhit; ndërsa Princi e ndoqi trupin deri në varreza.
Së bashku me Princin, e shoqëruan kolonel Thomsonin për në paqen e amshuar anëtarët e Komisionit të Kontrollit, ministrat dhe anëtarët e Legatave, admiralët austriakë dhe italianë. Të gjithë ata pak lule që Durrësi mund të ofronte ishin prerë, dhe kurorat jo të pasura, por pikërisht sepse ishin të thjeshta aq më tepër domethënëse, mbulonin arkivolin e mbështjellë me ngjyrat holandeze. Kishte një sinqeritet të vërtetë dhimbjeje tek të gjithë dhe, kur arkivoli zbriti nën tokën e huaj për të cilën Thomsoni vdiq, të gjithë përshëndetën një njeri që ndoshta ka bërë më shumë se një gabim, por që vdiq duke kryer detyrën e tij.





