Një furrë për prodhimin e qeramikës dhe disa varre antike, datimi i të cilëve pritet të zbulohet në vijim, janë gjetjet më të fundit të ekspeditës arkeologjike italo – shqiptare.

Zbulimet e fundit në amfiteatrin e Durrësit do të shfaqen në dritë të diellit në ditët në vijim, pasi puna e ekipit është përqendruar në pjesën jugore të galerive të monumentit të kategorisë së parë.  

“Kemi zbuluar një pjesë të një furre të prodhimit të qeramikës mjaft interesante. Gjithashtu gërmimet po vazhdojnë më thellë, drejt galerive dhe në këtë stad ku jemi kemi parë dhe gjurmët e disa varreve por akoma nuk kemi arritur në zbulimin e plotë të tyre”,- bën të ditur arkeologia Elvana Metalla.

Arkeologët italianë dhe shqiptarë, pjesë e Institutit të Arkeologjisë dhe universitetit italian të Chieti – Pescara-s ndodhen në amfiteatrin e Durrësit që nga fillimi i këtij muaji dhe ekspedita do të vijojë punën deri në ditët e para të nëntorit.

Instituti i Arkeologjisë, së bashku me universitetin e Chieti-Pescara-s, të mbështetur nga Ministria e Kulturës, organizon ekspedita arkeologjike që prej vitit 2004, të cilat kanë për qëllim të nxjerrin në dritë nga nënshtresat e amfiteatrit të ndërtuar në shekullin II e.s. të tjera dëshmi të trashëgimisë së pasur kulturore të Durrësit.

Ndër vite, ekspeditat arkeologjike kanë zbuluar faza të rëndësishme post-antike dhe struktura të sitit të rëndësishëm arkeologjik.

M.B.