Teuta e luajti ndeshjen e javës së parë të kampionatit kundër Partizantit si pritës në “Elbasan Arena”.

Gjendja e fushës së stadiumit “Niko Dovana” nuk është e mirë dhe duke qenë se koha favorizon në këtë moment u mendua të bëhet procesi i rimbjelljes së barit.

Mirëpo, ende diçka e tillë nuk ka nisur në stadium. Specialistë të fushës kanë parë ditët e fundit tapetin dhe ka dilema nëse do të bëhet rimbjellja e barit apo do të kërkohet të vendoset një fushë e re.

Gjithsesi, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar, skuadra durrsake do të shfrytëzojë fushën me bar natyral të “Niko Dovanës”.

Nëse bari rimbillet atëherë kërkohen katër javë kohë në mënyrë që ai të jetë gati. Në javën e tretë Teuta pret Dinamon dhe ende nuk dihet se ku do të luhet.