26 dhjetor 2014 – Teuta fiton me përmbysje 3-2 ndaj Skënderbeut dhe e mbyll fazën e parë si kryesuese në kampionatin U-17 të Kategorisë Superiore. 12 fitore, një barazim dhe dy humbje, këto janë shifrat për durrsakët e vegjël, të cilët, duke përfituar edhe nga hapi fals i Flamurtarit rival, kryesojnë të vetëm tabelën e klasifikimit, të shkëputur me tri pikë. Në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në Durrës, paratërinjtë e Teutës kanë hasur jo pak vështirësi. Ajdini ka zhbllokuar rezultatin në minutën e 28-të për vendësit, por korçarët janë kundërpërgjigjur shumë shpejt. Miqtë kanë realizuar dy herë me Sulollarin dhe Marën, duke e befasuar Teutën. Megjithatë, në pjesën e dytë durrsakët kërkojnë përmbysjen dhe ia arrijnë. Fillimisht barazojnë me një supergol të Ajdinit në minutën e 75-të dhe më pas kalojnë në avantazh me anë të Xhymertit. Ky i fundit realizoi në minutat shtesë.
U 17/Shkëndija e Durrësit humbet ndaj Briansit
Ndeshja mes Briansit dhe Shkëndijës së Durrës u zhvillua në një terren tepër të rënduar, pothuajse të mbuluar nga uji dhe balta. Megjithatë, futbollistët e të dyja skuadrave ia dolën të zhvillonin një lojë mjaft të fortë dhe me raste shënimi. Që në start paratërinjtë, e drejtuar nga Gjergj Filipi, e kanë kontrolluar lojën, duke krijuar raste të pastra, që u finalizuan me golin e shkëlqyer të Elmazit në minutën e 16-të. Ky gol u ruajt deri në fund të takimit, por edhe pse kaluan në avantazh futbollistët e Briansit, ata nuk u tërhoqën, por vijuan sulmet e tyre. Vendësit rrezikuan seriozisht me anë të Elmazit dhe gjithashtu Smaçit e Ricës, por nuk arritën që të gjenin rrjetën. Ndërkohë, Pepkolaj për miqtë provoi të gjuante që nga 35 metra, duke vënë në vështirësi Patin. Edhe pjesa e dytë më shumë u kontrollua nga Brinsi, por edhe miqtë krijuan disa raste, ku në minutën e 51-të Kurpi iu afrua portës, por nuk arriti të shënonte.
U 19/ Spektakël i Teutës
Fitore e lehtë për Teutën ndaj Skënderbeut. Durrsakët zhvilluan një pjesë të parë shumë të mirë, gjatë të cilave, përveç dy golave mjaft të bukur të Hykës, me rastet e krijuara mund të trefishonin shifrat. Në fundin e pjesës së parë korçarët ngushtojnë diferencën me Maken në 2-1. Në minutën e 74-t është Myrtezani, i cili harkon një top në zonë, devijon lehtë Mara dhe vulos triumfin e Teutës në 3-1.
U 19/Shkëndija e Durrësit mundet nga Vllaznimi
Vllaznimi e ka mbyllur fazën e parë në mënyrën më të mirë, duke arritur një fitore përballë Shkëndijës së Durrësit. Ky triumf i rëndësishëm ka bërë që skuadra e Altin Xhahysës t’i largohet vendit të fundit. Golat për Vllaznimin u shënuan nga S.Kraja, Ndou dhe Beqi, ndërsa për miqtë nga Durrësi realizoi Xhakoni. Shkëndija e mbylli fazën e parë në vendin e gjashtë.





