12 maj 2015 – Pasoja edhe ligjore për Arian Çanin. Deklarata e tij gjatë emisionit të së premtes, se “t’i vrasësh çamët e sarandiotët është pak”, veç reagimeve të publikut ka sjellë dhe reagimin e AMA-s, (Autoriteti i Mediave Audiovizive”.
Ja deklarata e plotë:
“AMA vlerëson se jemi në rrethana specifike, pasi subjekti “Tv Klan” është televizion me shtrirje kombëtare me audiencë të konsiderueshme, ku ndjeshmëria në publik e përmbajtjeve të transmetuara është më e madhe. Mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në nenin 33 të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, mbështetur në nenin 133, pika 1, gërma “a” të po këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe ndërshkohet me gjobë.
Për sa më sipër, në mbështetje të nenit 133, pika 10 të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, Drejtoria e Programeve dhe Drejtoria Juridike dhe Licencave të AMA-s,
V E N D O S I:
Të ndëshkojë me gjobë në masën prej 400 000 (katërqindmijë) lekë, shoqërinë “Tv Klan” sh.a., për subjektin audioviziv privat kombëtar “Tv Klan”.
Gjoba paguhet nga kundërvajtësi brenda 10 ditëve në adresën: Banka Credins, AMA , Tiranë; Nr. Llog. 445385.
Pas kalimit të këtij afati, për çdo ditë vonesë, paguhet kamatë 2% deri në një muaj. Kundër kësaj gjobe mund të bëhet ankim në AMA brenda 30 ditëve nga data e marrjes dijeni”, përmbyllet vendimi i AMA.
Vetë Çani u mbrojt me faktin se deklarata e tij ishte batutë me humor, por kjo nuk e justifikoi para publikut e AMA-s.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”