7 dhjetor 2015 – Me afrimin e stinës së ftohtë, për të përballuar emergjencat që mund të krijohen nga rëndimi i motit, falë përgatitjeve në kohë dhe zbatimit të planit të posaçëm të masave të Ministrisë së Shëndetësisë, nga data 25.11.2015, ka nisur shpërndarja e paketës me 42 barna dhe 24 materiale të konsumit mjekësor, dhe brenda datës 8.12.2015, është planifikuar të furnizohen 92 qendrat shëndetësore, për një popullsi të përgjithshme prej 205 549 banorësh.

“Këtë dimër, ne i garantojmë që nuk do të kenë mungesa me barna dhe materiale mjekësore në qendrat shëndetësore të kujdesit shëndetësor parësor”, tha ministri Ilir Beqaj gjatë një vizite në disa nga qendrat shëndetësore të Librazhdit.

“Besoj së këtë vit, përveç kësaj ndihme, ka edhe një masë tjetër që ka filluar të zbatohet që në muajin prill nga MSH dhe FSDKSH, por që këtë dimër do të ndihet më shumë, dhe që ka të bëjë me recetën dy-mujore me rimbursim, që do të thotë se shumë prej banorëve të këtyre zonave mund të marrin furnizimin me barna që nga mesi apo java e tretë e dhjetorit, dhe ta kenë këtë deri në fund të shkurtit, kur përgjithësisht është edhe momenti kur stina e dimrit fillon dhe zbutet”, deklaroi Beqaj.

/S.L. portali DurresLajm/