Më befason qetësia me të cilën Shqipëria po përgatitet të festojë gay-pride e parë të saj. Duke pasur parasysh trazirat dhe reagimet e dhunshme të ndodhura në vende të tjera të Ballkanit, kisha frikë se edhe këtu njerëzit do t'i kundërviheshin një ngjarjeje që mund të rezultojë shockante për një shoqëri me mentalitet tradicional dhe trashëgimi muslimane. Përkundrazi, shqiptarët duken të argëtuar nga perspektiva e një mitingu gay dhe janë kuriozë të shohin kush do të marrë pjesë. Por do të mbeten të zhgënjyer: në fakt duhet të qartësohet se, në vendet ku është akoma e vështirë të pohohet homoseksualiteti, manifestuesit e gay-pride janë shumica aktivistë të huaj dhe përfaqësues politikë të vendeve perëndimore, ndërsa pjesëmarrësit lokalë janë eksponentë heteroseksualë të shoqërisë civile. Pra, aspak njerëz me makijazh dhe parruke, nëse është kjo ajo që populli shpreson të shohë.

Gay-pride i Tiranës do të zhvillohet në mënyrë të thjeshtë dhe të qetë, ashtu siç DUHET të ndodhë, sepse SHBA dhe BE i kanë dhënë Shqipërisë njëzet vjet kohë për t’u edukuar me tolerancën dhe për t’u përgatitur me pranimin publik të diversitetit seksual (ndërsa vendeve të tjera ballkanike i është dashur të eksperimentojnë gay-pride shumë vite më parë, pa as minimumin e përgatitjes kulturore dhe sociale). Fakti është se dalja paqësore e gay-pride është shndërruar tamam në një “test demokracie” i detyrueshëm për vendet ish-komuniste. Në vitin 2000 Këshilli i Europës ka adoptuar një direktivë që ndalon çdo diskriminim me bazë orientimin seksual dhe prandaj vendet që aspirojnë të hyjnë në BE janë të detyruar të mbrojnë minorancat seksuale. Rëndësia e kushtuar nga bota perëndimore për të drejtat e homoseksualëve ka qenë e konfirmuar në vitin 2010 nga sekretarja e Shtetit e SHBA, Hillary Clinton, e cila ka lavdëruar Serbinë sepse ka lejuar zhvillimin e gay-pride: kjo temë ka qenë vendosur në të njëjtin plan me çështjen e Kosovës dhe me marrëdhëniet diplomatike midis Washington dhe Beogradit. Me qenë “gay friendly” (miqësor me gay) është një parametër themelor në botën globale.

Ndoshta këmbëngulja e institucioneve ndërkombëtare për të drejtat e minorancës gay kërkon të shërbejë si “terapi shock” për vendet e dalura nga regjimet diktatoriale apo të karakterizuara nga mentalitete hiper-tradicionaliste. Ndoshta elitat e pushtetit botëror mendojnë se, nëse një popull pranon një paradë homoseksuale, atëherë domethënë se do të bëhet tolerant edhe ndaj aspekteve të tjera të jetës sociale dhe ndaj formave të tjera të “diversitetit” – të mendimit, të ideve politike, të fesë, të sjelljeve, të zgjedhjeve individuale, etj. Nëse ky është qëllimi edukativ, qoftë i mirëseardhur. Megjithatë, për të mbajtur kombet me të vërtetë “të imunizuar” kundër çdo lloj forme fashizmi, besoj se do të duhej të ndërhyhej edhe mbi tema të tjera sociale dhe sidomos mbi nënshtrimin e gruas nga burri, akoma shumë evident në familjet shqiptare. Vetëm nëse është “e provokuar” nga tema që prekin të gjithë, shoqëria do të jetë e stimuluar për debat dhe për refleksion. Përndryshe rrezikohet e njëjta situatë me vendet e tjera ballkanike, ku dhjetë vite me gay-pride nuk kanë transformuar mentalitetin e njerëzve.

Në pjesën tjetër të Ballkanit homofobia vazhdon

Kroacia, ndoshta vendi më “europian” i Ballkanit, është konsideruar nga BE akoma “shumë mbrapa” në fushën e të drejtave të homoseksualëve. Popullsia është e gjitha katolike dhe Kisha zë një rol shumë të fortë kulturor, ndërsa edhe votuesit e së majtës kanë ide konservatore mbi familjen dhe shoqërinë. Gay-pride i parë i organizua në 2002 dhe, nën presionin e Brukselit, kanë qenë miratuar pesë ligje që ndalojnë diskriminimin në baza seksuale. Megjithatë vazhdojnë të ndodhin episode të intolerancës ndaj homoseksualëve: në 2007 një grup nacionalistësh ka rrahur njëzet nga dymijë pjesëmarrës së gay-pride të Zagrebit dhe në 2011 parada homoseksuale në Split u ndërpre nga hedhja e gurëve prej nacionalistëve.

Sllovenia është kombi ballkanik ku, në 1984, u formuan grupet e para të organizuara të homoseksualëve. Megjithatë, shpërbërja e Jugosllavisë i dha udhë partive konservatore dhe çoi Slloveninë nën influencën e Kishës Katolike. Edhe pse gay-pride i parë u organizua në 2001 dhe ekziston një ligj që rregullon bashkimin brenda gjinisë, gay janë akoma të detyruar të fshehin identitetin e tyre në një shoqëri thellësisht tradicionaliste. Episodet e dhunës fizike kundër homoseksualëve janë të shumta dhe gay-pride i 2009 përfundoi në rrahje dhe gurë kundër pjesëmarrësve.

Në Serbi, homoseksualët jetojnë më keq sesa në çdo vend tjetër të Ballkanit. Të përçmuar hapur nga shoqëria, çdo herë që kanë provuar të manifestojnë publikisht kanë vuajtur dhunën fizike. Të interesuar për të mbajtur konsensusin e vet elektoral, partitë politike gjithmonë kanë injoruar komunitetin gay (që duket se përbën 10% të popullsisë), ndërsa edhe presidenti filoeuropian Boris Tadić është shprehur qartë kundër martesës brenda gjinisë dhe hipotezës se homoseksualët mund të adoptojnë fëmijë. Në 2001, gjatë eksperimentit të parë të gay-pride, njëmijë nacionalistë sulmuan vargun prej njëqind manifestuesish, shumica të huaj, duke plagosur njëzet. Në 2004, gay-pride i dytë u anullua sepse, pas trazirave në Kosovë dhe Serbi, organizatorët menduan se ishte më mirë të mos nervozonin më shumë nacionalistët. Në 2009 edhe një herë gay-pride i dytë u anullua nën kërcënimin e grupeve nacionaliste. Në fund, në tetor 2010, pas nëntë vjetësh nga i pari, u arrit të organizohej gay-pride i dytë, i mbështetur fuqimisht nga institucionet ndërkombëtare, përfaqësuesit e të cilave hapën manifestimin. Në shenjë proteste, shoqatat fetare organizuan një “Shëtitje të Familjeve” paqësore për të mbrojtur vlerat e traditës serbe, ndërsa gjashtëmijë nacionalistë sulmuan forcat e policisë që mbronin paradën e gay-pride, me një bilanc prej treqind të plagosur dhe Beogradin të kthyer në një fushë betejë.  Duke marrë parasysh eksperiencën negative të një viti më parë, në 2011 qeveria serbe vendosi të ndalonte gay-pride. Me pak fjalë, në Serbi “nuk bohet mo”.

Në Bosnjë-Hercegovinë homoseksualiteti mbetet një tabu sociale edhe për arsye të afeksionitpopullor për fenë islame. Duket se homoseksualët përbëjnë 10% të popullsisë, por “Shoqata Q”, e vetmja organizatë për mbrojtjen e të drejtave të gay, mbështet se homoseksualiteti është edhe “një çështje sjelljeje” dhe se gay janë edhe më shumë, duke konsideruar se shumë meshkuj preferojnë të kalojnë kohën e tyre me meshkuj të tjerë në vend të femrave. Në shtator 2008, Festivali gay i parë në Sarajevo u kthye në një natë përplasjesh, me pesëmbëdhjetë manifestues të plagosur nga muslimanët wahabitë. Festivali mbahej gjatë Ramazanit dhe kjo kishte nxitur kritikat e komunitetit islamik por edhe të ambientit politik dhe të mediave.

Në Kosovë, vend mbi të cilin SHBA kanë investur shumë në termat e imazhit publik, preferohet të mos organizohet gay-pride, duke patur frikë se shoqëria dhe grupet islamike reagojnë dhunshëm. Ekzistojnë ligje anti-diskriminimit të përgatitura nga funksionarë ndërkombëtarë dhe pastaj të miratuara pa u diskutuar në parlament. Megjithatë, ndodhin raste të dhunës kundër gay dhe shoqëria refuzon personat homoseksualë.

Në Rumani, shoqëria ushqen paragjykime të forta ndaj homoseksualëve, aq sa 40% e popullsisë mendon se duhet të dëbohen nga vendi. Manifestimi i parë publik i minorancave seksuale, i promovuar në 2004 nga Open Society Foundation i George Soros, ka patur një pjesëmarrje të pakët, ndërsa gay-pride i 2005 u organizua nën presionin e Brukselit. Në shenjë proteste, paralelisht me paradën e homoseksualëve, Partia Konservatore bëri një marshim për mbështetjen e vlerave të familjes dhe të fesë ortodokse. Edhe gjatë gay-pride të 2006 konservatorët kanë mbajtur një manifestim paralel, por disa militantë nacionalistë i kanë hedhur vezë dhe shishe paradës së homoseksualëve.

Në Bullgari, popullsia mban pozicion mosbesues ndaj gay dhe kush deklaron hapur homoseksualitetin e vet rrezikon izolimin social, por në vitet Nëntëdhjetë disa artistë janë shpallur homoseksualë, ndërsa në Sofia dhe në qytetet kryesore të vendit u hapën shumë night-club të frekuentuar nga gay. Nën presionet europiane, në 2004 parlamenti miratoi një ligj anti-diskriminimit dhe televizioni filloi të interesohej për komunitetin gay. Megjithatë, drejtuesit e emisionit “Choc” ngjallën dyshiminse “është një avantazh të jesh gay në Bullgari”, se ekziston një “mafia gay” dhe se “tashmë ka vetëm heterofobi dhe jo më homofobi”. Për “homoseksualitetin e diktuar nga lart” ka folur edhe një profesor i Universitetit të Sofias, duke deklaruar me ironi se “duhet vazhduar me metodën e vjetër mes meshkujve dhe femrave, derisa BE të na lejojë!”.

Mbrojtja e minorancave duhet të nisë nga populli, jo nga qendrat e pushtetit

Organizimi i gay-pride të parë në Shqipëri është kulmi i një proçesi filluar që nga 2009, kur kryeministri Sali Berisha prezantoi papritur një projektligj për legalizimin e martesave brenda gjinisë. Edhe para se të nisej një luftë serioze kundër çdo lloj diskriminimi social ose të promovoheshin aksione për të garantuar mbrojtjen e pakicave seksuale, flitej për martesë homoseksuale, pa pyetur sesa çifte gay, në Shqipëri, kishin ndërmend të legalizonin pozicionin e tyre. Duke denoncuar hipotezën se projektligji do të mbetej shterp dhe i padobishëm, shumë analistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë lidhën inciativën e Berishës me dëshirën për t'i bërë përshtypje pozitive Brukselit. Në fakt, dukej e pagjasë që, në Ballkan, një politikan i brezit të vjetër – për më tepër lider i një partie konservatore! – mbështeste sinqerisht kërkesat e komunitetit gay.

Aspekti sensacional është se projekti për të legalizuar martesat homoseksuale ka nisur nga maja e pushtetit politik, me një proçes diametralisht të kundërt krahasuar me atë të kombeve të tjera ballkanike: madje, mund të thuhet se rasti shqiptar ka qenë unik në botë! Në fakt, në tërë sferën perëndimore, sensibiliteti ndaj të drejtave të homoseksualëve është zhvilluar spontanisht në disa sektorë të shoqërisë civile dhe vetëm pas një udhe të gjatë ka paraqitur kërkesa të natyrës politike. Në fillim, lëvizjet gay kanë luftuar për të arritur gradualisht vizibilitetin dhe pranimin nga opinioni publik, deri në fitimin e një mirëkuptimi të vërtetë nga ana e shumicës së shoqërisë: vetëm kur është gati klima sociale, komunitetet homoseksuale pretendojnë legalizimin politik të të drejtave të tyre.

S'ka dyshim se kryeministri shqiptar donte të fitonte simpatinë e elitave të fuqishme të Brukselit, duke treguar edhe se Shqipëria mund të jetë një komb-udhërrëfyes në fushën e të drejtave të homoseksualëve. Ngjarja e Shqipërisë “pro-martesave gay” është një shembull i shkëlqyer i transformimit kulturor që BE po i detyron – don apo s'don – tërë rajonit ballkanik. Të gjithë politikanët e gadishullit e kuptojnë rëndësinë e zbatimit të të gjitha kërkesave të Brukselit dhe shumë prej tyre kujtojnë se, në vitin 2004, kandidatura e italianit Rocco Buttiglione për presidencën e Komisionit Europian qe hedhur poshtë për arsye të qëndrimeve të tij kritike ndaj homoseksualitetit – siç ishte normale nga ana e një filozofi katolik.

Fundi i karrierës politike të Buttiglione i ka mësuar politikanëve të Ballkanit se shprehja e pozicioneve të kundërta me ato të BE mund t'i dëmtojë në mënyrë të pandreqshme. Por, në të njëjtën kohë duhet të llogarisin edhe mentalitetin e votuesve të tyre që, të majtë apo të djathtë, janë të gjithë thellësisht konservatorë ndaj temave sociale. Shumë liderë ballkanikë do të donin të mbështesnin vetëm formalisht kërkesat që arrijnë nga BE, duke mbajtur përkundrazi një pozicion të moderuar dhe të matur: por kjo “rrugë kompromisi”, e eksperimentuar në të shkuarën nga shumë politikanë perëndimorë, ka sjellë në përjashtimin e tyre nga jeta parlamentare.

Meqë anëtarësimi në BE përfaqëson një dogmë politike të padiskutueshme, politikanët ballkanikë pranojnë pasivisht të gjitha vlerat e promovuara nga Brukseli. Por përballë gjithë këtyre “revolucioneve të mentalitetit” të vendosura nga lart, duhet bërë një pyetje: me ç'ritëm mund të ndryshojë një shoqëri, pa vënë në risk identitetin kulturor të saj dhe stabilitetin politik të saj?

 

Gay-pride i Tiranës do të zhvillohet në mënyrë të qetë, ashtu siç duhet të ndodhë, sepse SHBA dhe BE i kanë dhënë Shqipërisë njëzet vjet kohë për t’u edukuar me tolerancën dhe për t’u përgatitur me pranimin publik të diversitetit seksual. Dalja paqësore e gay-pride është konsideruar si një “test demokracie” i detyrueshëm për vendet ish-komuniste, sepse bota perëndimore mendon se, nëse një popull pranon një paradë homoseksuale, atëherë domethënë se do të bëhet tolerant edhe ndaj aspekteve të tjera të jetës sociale…