Gazetari nga Durrësi, Geri Emiri, fitoi çmimin e dytë të Bashkimit Evropian për gazetari investigative për vitin 2020, për një seri shkrimesh që raportojnë mbi pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019 që goditi rëndë Durrësin. Shkrimet trajtojnë çështjet e ndërhyrjeve të pakontrolluara nëpër ndërtesa, të cilat kushtuan jetë njerëzish, mbi dëmet në trashëgiminë kulturore nga tërmeti dhe procesi i rindërtimit si dhe mbi pasojat e tërmetit mbi jetët e qytetarëve të dëmtuar.

“Shkrimet janë drejtuar nga interesi publik dhe janë në vetvete një kërkim i mirëfilltë lidhur me shkaqet dhe pasojat e ndërhyrjeveve, pasuruar me burime, intervista dhe elemente investigative,” shkroi juria në motivimin e dhënies së çmimit.

Me çmim të parë është nderuar gazetarja Luljeta Progni e ABC News për kronikën “Skllevërit e naftës”, që vendos në qendër të saj historitë njerëzore të naftëtarëve shqiptarë që prej vitesh luftojnë për të drejtat e punës dhe statusin e tyre.

Gazetaret Anila Hoxha dhe Esmeralda Keta të Top Channel fituan çmimin e tretë për shkrimin: “Qeveria ‘manipuloi’ bilancin e ndihmave për shtresat në nevojë gjatë Covid 19”, një hulumtim që u krye mes kushteve të vështira të krijuara nga pandemia e koronavirusit dhe që trajtoi problemet e lidhura me mbështetjen ndaj familjeve të varfra dhe përgjigjen e administratës shtetërore lidhur me këtë.

Çmimet e Bashkimit Evropian për Gazetari Investigative jepen nga Bashkimi Evropian në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative. Një juri e pavarur, e përbërë këtë vit nga Albana Kasapi, gazetare e BBC, Idro Seferi, korrespondent i Deutsche Welle dhe televizionit publik zciveran në Beograd dhe Elira Çanga, gazetare dhe eksperte e zhvillimit të medias në Tiranë, përcaktuan fituesit këtë vit mes 19 aplikimeve të 22 gazetarëve.