*APD “përzë” peshkatarët nga kalatat në 2016-n!
Ndër prioritetet e Autoritetit Portual të Durrësit për vitin 2016, është largimi i peshkarexhave nga dy bankinat ku qëndrojnë prej dekadash, dhe sistemimi e disiplinimi i tyre në portin e ri të ndërtuar për këto anije. Shefi ekzekutiv i APD-së Gazmir Shalsi, deklaroi se APD-ja duhet të shfrytëzojë hapësirat e zëna nga peshkatarët, në funksion të projekteve zhvillimore që ka ky port, ndërsa anijet e peshkimit duhet të disiplinohen në portin e ri të ndërtuar enkas për ta. “Ju e dini në çfarë gangrene është porti i peshkimit. Porti i peshkimit në këtë gjendje nuk i shërben as APD-së, as Ministrisë së Bujqësisë, as peshkatarëve, askujt. Ne kërkojmë të nisë shfrytëzimi i kalatave në bazë të projekteve që kemi. Ose mund të bëhet shtesë e terminalit të trageteve, ose të bëhen dy kalata për përpunimin e mallrave të ndryshme”, tha Shalsi për këtë çështje.
Ja, në çfarë “derexheje” ka përfunduar porti i peshkimit në Durrës!
Një gropë e madhe e mbetjeve urbane është krijuar brenda portit të Durrësit, në zemër të tij, në sektorin e ri të peshkimit. Nuk dihet për sa kohë, por me muaj të tërë, brenda ambienteve të peshkimit, depozitohen mbetjet urbane, po aty edhe dekompozohen. Pamja është e frikshme, nuk hedh dot sytë në asnjë vend, sepse kudo mbizotërojnë plehrat, që grumbullohen aty nga magazinat e peshkut, e nuk pastrohen kurrë. Rruga në të dy bankinat e peshkimit është e frikshme, sepse midis plehrave qëndrojnë edhe tufat e minjve. Kësaj situate i shtohen edhe ujërat e zeza që qarkullojnë lirisht në sipërfaqe. Vetëm port peshkimi nuk mund të quhet ky!
Magazinat e peshkut, hedhin pa kriter mbetjet në sipërfaqe dhe askush nuk i pastron. Jo rrallëherë plehrat përfundojnë në det, aty ku janë edhe anijet e peshkimit. Ashtu sikundër porti, bankinat dhe vendi ku qëndrojnë anijet është po njësoj. Vetë anijet e peshkimit janë duke u mbytur një e nga një, për shkak të amortizimit. Pjesa fundore e tyre është drejt shkatërrimit, sepse qëndrojnë për një kohë të gjatë në ujë, pa u riparuar, në mungesë të kantierit. Në antitezë të gjithë kësaj situate qëndron porti i ri i peshkimit në Durrës, një investim miliona euro krejtësisht bosh e jofunksional. Një investim që konsiderohet i dështuar, për aq kohë sa nuk është në shërbim të anijeve, dhe në funksion të qëllimit për të cilin u ndërtua.
K.H.





