Tre persona kanë rënë në prangat e Policisë së Lezhës, pasi gërryenin dhe merrnin inerte nga shtrati i lumit Mat. Ata janë arrestuar në kushtet e flagrancës pas denoncimeve të bëra nga qytetarët në vendin e quajtur “Ura e Zogut”.
Fitim Mziu, Valdimir Pera dhe Mark Lleshi akuzohen për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Shpërdorimi i tokës”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”. Gjithashtu, janë sekuestruar dhe kamionët dhe ekskavatori i firmës “BRAJAN-AB SHPK”.
“Seksioni i Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariateve të Policisë Lezhë dhe Kurbin, falë dhe informacioneve të qytetarëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Miloti”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
Fitim Mziu, 43 vjeç, banues në Ishull, Shëngjin, Vladimir Pera, 31 vjeç, banues në Lezhë dhe Mark Lleshi, 61 vjeç, banues në Fushë Milot, Kurbin.
Këta shtetas janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, tek vendi i quajtur “Ura e Zogut”, në shtratin e lumit Mat, duke gërryer dhe duke marrë inerte me kamionë. Nga shërbimet e Policisë u sekuestrimi i një ekskavatori dhe i dy kamionëve shërbenin për marrjen e inerteve”, njofton Policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.