Edicioni i 8-të i “Giffoni Shqipëria filmfestival” e ka ngritur siparin këtë vit në qytetin e Durrësit. Për dy ditë, 15 tetor-16 tetor,  në teatrin “Aleksandër Moisiu” u shfaqën 6 filma, tre për kategorinë “Free to Fly” (+13 vjeç) dhe 3 filma për “Y Generation” (+16 vjeç). Manjola Lloja, organizatorja e këtij festivali tha për “Dyrrah” se pavarësisht vështirësive stafi organizues është përpjekur ndër të tjera të ringjallë tek fëmijët dhe të rinjtë dëshirën për kinemanë.

Jo më kot janë zgjedhur si stacione të këtij festivali qytetet e Durrësit dhe Shkodrës, dy qytete me mjaft kulturë, por fatkeqësisht pa kinema. Gjatë dy ditëve të shfaqjes së filmave nxënësit durrsakë patën mundësi të ndjekin prodhime kinematografike të realizuara për moshën e tyre nga ekrani i madh i kinemasë e jo i televizorit siç janë mësuar zakonisht.

“Kinemaja është një institucion që frekuentohet shumë pak, ne duam që përmes  këtij festivali që organizojmë prej 8 vitesh të përpiqemi që të ngulisim në kokën e fëmijëve dhe të të rriturve këtë element shumë të rëndësishëm të kulturës dhe zhvillimit të tyre. Është shumë e rëndësishme hapja e kinemasë, por me keqardhje unë shoh që vit pas viti nuk është ndërmarrë asnjë nismë në këtë drejtim. Ne kërkojmë nga fëmijët dhe të rinjtë që të meditojnë mbi filmin dhe të shprehin opinionin e tyre gjë që mesa duket në shkolla tek ne nuk është një pikë e fortë e zhvillimit të kurrikulave. Ndoshta shkollat tona momentalisht kënaqen shumë më tepër me ripërsëritje të mësimit gjë që shihet në faktin kur fëmijët dhe të rinjtë diskutojnë. Ata përsërisin përmbajtjen e filmit, por e kanë të vështirë që të nxjerrin thelbin ose mesazhet prej tij”,- tha Lloja.

Filmat e shfaqur gjatë dy ditëve që festivali u ndal në Durrës trajtonin probleme sociale të ndryshme, duke filluar që nga integrimi në shoqëri, problemet e racizmit, por edhe aventura të bukura për të rinjtë. Organizatorët në këtë edicion bënë një përzgjedhje të të rinjve të apasionuar pas letërsisë, nga shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e qytetit të Durrësit, të cilët gjatë këtyre ditëve ndoqën të gjithë filmat dhe në fund votuan për filmin më të mirë.

Fëmijët kanë vështirësi në artikulim, zbehje të fjalorit gjë që më bën të mendoj se shumë prej tyre janë në komunikim më shumë virtual sesa të drejtpërdrejtë me grupet e tyre apo bashkëmoshatarët e tyre dhe lexojnë pak. Mendoj që Giffoni në Shqipëri u jep mundësinë që të shohin edhe një shkollë  ndryshe të ndjekjes së kulturës

Megjithëse të përzgjedhur nga mësuesit e letërsisë si nxënësit më të prirur drejt kësaj lënde, Lloja vëren se shumë prej tyre “kanë vështirësi në artikulim, zbehje të fjalorit gjë që më bën të mendoj se shumë prej tyre janë në komunikim më shumë virtual sesa të drejtpërdrejtë me grupet e tyre apo bashkëmoshatarët e tyre dhe lexojnë pak. Mendoj që Giffoni në Shqipëri u jep mundësinë që të shohin edhe një shkollë  ndryshe të ndjekjes së kulturës”. Sipas saj specifika e filmave që shfaqen gjatë ditëve të festivalit të filmit është se janë filma të krijuar enkas për ta, jo të formatit hollivudian, ku çdo gjë përfundon mirë dhe bukur.

“Filmat zhvillohen me një ngjarje të përshpejtuar dhe eksaltuese, por janë filma me prodhime nga e gjithë bota, janë filma tematikë, pra filma autorë, të ndërtuar për të përcjellë mesazhe për këto grupmosha”,- nënvizoi ajo.

Votimi i bërë nga fëmijët durrsakë do t’i bashkëngjitet votimit që do të bëhet në Shkodër dhe Tiranë, për të nxjerrë filmat fitues për edicionin e 8-të në të dyja kategoritë. Pas Durrësit dhe Shkodrës festivali, do të udhëtojë drejt Tiranës ku do të zhvillohet edhe finalja e madhe, në datë 27 tetor, në të cilën do të shpallet grupi fitues.

Ky grup fitues do të marrë pjesë në edicionin e 43-të në korrik të 2013-ës në “Giffoni Film Festival” që do të zhvillohet në Itali. Në ditën finale do të jenë të ftuar dhe anëtarët e jurisë ndërkombëtare. Krahas fëmijëve shqiptarë do të jenë përfaqësues nga Maqedonia, Mali i Zi, Kosova dhe Italia. Përveç filmave më të mirë për të dy kategoritë do të ndahet edhe çmimi i karrierës që mban emrin e pionieres së filmave për fëmijë, Xhanfise Keko.