Mijëvjeçarët dhe Gjenerata Z shpesh quhen “gjenerata e terapisë”, të njohur për dhënies së përparësisë ndaj shëndetit mendor dhe kërkimin e këshillimit kur kanë nevojë për të.

Sipas Tracy Douglas, një terapisteje në Wisconsin e specializuar në klientët e Gjeneratës X, shumë anëtarë të Gjeneratës X, pikërisht të lindurit midis viteve 1965 dhe 1980, u rritën në një kohë kur kërkimi i ndihmës nuk ishte aq i normalizuar dhe për disa, një “hije e stigmës” ende ekziston.

“Shëndeti mendor nuk ishte një temë diskutimi në tryezën e darkës në vitet ’70 dhe ’80. Terapia nuk shihej aq shumë si një mjet proaktiv për shërim dhe rritje, sa ishte një mjet i fundit absolut për t’u drejtuar. Për shkak të kësaj, shumë të Gjeneratës X ende mund të kenë ndjesinë se duhet të jenë në gjendje t’i përballojnë vetë problemet”, pohoi Douglas për HuffPost.

Megjithatë, gjithnjë e më shumë anëtarë të kësaj gjenerate po fillojnë të provojnë terapinë. 

“Anëtarët e Gjeneratës X shpesh janë disa nga klientët më të përkushtuar me të cilët punoj”, tha Jennifer Chappell Marsh, një terapiste martesore dhe familjare në San Diego, Kaliforni.

Klientët e saj janë të adaptueshëm dhe sinqerisht duan të kuptojnë se çfarë po ndodh në jetën e tyre dhe çfarë i motivon. Ja cilat janë disa nga problematikat kryesore që ata i besojnë një terapisti.

Ata kanë stres kronik pa asnjë plan për të kërkuar ndihmë

Të rritur për t’u mbështetur në vetvete, shumë anëtarë të Gjeneratës X ndjekin një qasje “bëje vetë” ndaj problemeve të tyre personale. Marsh tha se shumë nga klientët e saj të Gjeneratës X u rritën në shtëpi me prindër të divorcuar ose dy prindër që punonin, ku shpesh mungonte harmonia emocionale. Mësimi që ata përvetësuan, tha ajo, ishte i thjeshtë: Ia del mbanë gjërave duke i trajtuar vetë.

Kur ata kërkojnë ndihmë nga një profesionist i shëndetit mendor, shpesh është një lehtësim i madh, megjithëse në fillim mund të duket e huaj ose e frikshme”, pohoi Marsh.

Ata po vënë në pikëpyetje martesat dhe marrëdhëniet afatgjata.

Douglas tha se sot po ndodh një “çlirim masiv” në partneritetet e Gjeneratës X, veçanërisht midis çifteve heteroseksuale afatgjatë. Sipas saj, pas dekadash që kanë mbajtur pjesën më të madhe të ngarkesës mendore dhe emocionale për familjet e tyre, shumë gra të Gjeneratës X po i shqyrtojnë martesat e tyre dhe po kuptojnë se në të vërtetë mund të preferojnë të jenë vetëm.

“Ato po zgjedhin paqen dhe rehatinë duke hequr dorë nga përgjegjësitë e punës mendore dhe emocionale që prej kohësh janë marrë si të mirëqena. Burrat po e kuptojnë se për të mbijetuar dhe për të lulëzuar në këtë fazë të jetës me partneret e tyre, ata duhet të kuptojnë jetën emocionale të tyre dhe të partnereve të tyre, në mënyrë që të mund të lidhen në nivele të thella dhe kuptimplote”, tha Douglas.

Janë “të djegur”.

Gjenerata X ka forcë dhe vendosmëri kolektive, por pa kujdesin për veten dhe komunitetin, fillon lodhja emocionale, tha Jessika Fruchter, një terapiste martesore dhe familjare në Oakland të Kalifornisë.

“Në këtë pikë të moshës së mesme, shumë prej tyre janë kujdestarë të fëmijëve dhe të prindërve të moshuar. Ata gjithashtu kanë karriera, marrëdhënie dhe një listë të gjatë përgjegjësish të tjera”, tha ajo.

Ata presin që fëmijët e tyre të rritur, të rriten.

Shumë individë të Gjeneratës X kanë vështirësi të dalin nga faza e prindërimit në jetën e tyre, tha Kurt Smith, një terapist në Roseville të Kalifornisë. Nuk është e pazakontë që fëmijët e rritur në të 30-at dhe dhe më tej të jetojnë në shtëpi.

“Prindërit e tyre të Gjeneratës X përfundojnë duke u përpjekur të dallojnë nëse po i duan apo po i mundësojnë fëmijët e tyre. Ky është një problem që shumë më pak nga prindërit e tyre e kishin”, pohoi Smith.

Ata janë të shqetësuar për paratë.

Gjenerata X aktualisht po përballet me një “shtrydhje”, duke u detyruar të përballet me barrën financiare dhe emocionale të mbështetjes së fëmijëve të tyre dhe prindërve të tyre në plakje.

“Është një lëvizje e vështirë financiare dhe emocionale që i ka lënë shumë anëtarë të Gjeneratës X të ndihen në ankth se si do t’ia dalin mbanë, plus të depresionuar nga ndjenja sikur thjesht nuk po ecin përpara ose nuk po bëjnë mjaftueshëm”, pohoi Douglas.

Ata kanë trauma të patrajtuara të fëmijërisë së hershme që shfaqen në moshën e mesme.

Sipas terapistes Marsh, si një kolektiv, shumë anëtarë të Gjeneratës X u rritën mes shkallës së lartë të divorceve, fëmijërive të mbyllura me çelës dhe një kulture që vlerësonte ashpërsinë mbi butësinë.

“Këto gjëra nuk zhduken thjesht. Ato ruhen dhe rishfaqen më vonë në marrëdhënie, në prindërim, në mënyrën se si dikush reagon kur partneri i tij mërzitet ose e kritikon”, tha ajo.

Marsh pohoi gjithashtu se në këtë rast terapia EMDR ose terapia e desensibilizimit dhe ripërpunimit të lëvizjes së syve, është një teknikë trajtimi për shëndetin mendor që përfshin lëvizjen e syve në një mënyrë specifike ndërsa përpunoni kujtimet traumatike.

“Kur ​​e bëjmë këtë, shumë klientë zbulojnë se po shërojnë gjëra që as nuk e dinin se i mbanin ende”, u shpreh ndwr tw tjera ajo.

Ajo që terapistja Marsh dëshiron më shumë që njerëzit të kuptojnë rreth Gjeneratës X në terapi është se poshtë gjithë asaj vetëmjaftueshmërie fshihet një brez të cilit nuk iu dha kurrë leje për të pasur nevojë.